Ish-ambasadori kroat në Prishtinë: Kosova s’mund të jetë pa institucione, dua të besoj në mençurinë e politikanëve
Në një kohë kur rajoni, Evropa dhe më gjerë po përballen me zhvillime të pasigurta, ish-ambasador i Kroacisë në Kosovë, Zlatko Kramariq, theksoi se Kosova nuk ka luksin të mbetet në paqartësi institucionale. Ai nënvizon rëndësinë që vendi të ketë institucione funksionale sa më parë. “Dua të besoj në mençurinë e politikanëve kosovarë që do…

Lajme
Në një kohë kur rajoni, Evropa dhe më gjerë po përballen me zhvillime të pasigurta, ish-ambasador i Kroacisë në Kosovë, Zlatko Kramariq, theksoi se Kosova nuk ka luksin të mbetet në paqartësi institucionale. Ai nënvizon rëndësinë që vendi të ketë institucione funksionale sa më parë.
“Dua të besoj në mençurinë e politikanëve kosovarë që do të dinë të dalin nga kjo situatë e brishtë. Në një kohë kur Ballkani dhe bota po përballen me kriza të mëdha, Kosova ka nevojë për institucione funksionale sa më shpejt të jetë e mundur. Është jetike që në Kuvend të gjendet një konsensus, të miratohen temat kyçe për të ardhmen e vendit dhe t’u dërgohet një mesazh i qartë aleatëve: BE-së e SHBA-së, por edhe shteteve si Rusia e Kina. Kosova është e qëndrueshme dhe shteti nuk lëkundet nga përplasjet politike të brendshme”, tha Zlatko Kramariq.
Ngjarja e Banjskës, sipas Kramariqit, nuk mund të lihet në harresë. Ai bën thirrje që çështja të jetë gjithmonë pjesë e diskursit politik dhe diplomatik, për aq kohë sa drejtësia nuk është vendosur.
“Dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë, por paralelisht me të duhet këmbëngulur në drejtësi. Çfarë ndodhi në Banjskë në vitin 2022 nuk është një incident i zakonshëm. Është e papranueshme që terroristët të glorifikohen si heronj, të jenë të lirë, e madje të promovohen në media. Kjo nuk është as normale, as njerëzore. Për Banjskën duhet të kërkohet përgjegjësia pa reshtur – të identifikohen fajtorët, të ndëshkohen dhe rasti të mos harrohet kurrë”, shtoi Kramariq.
Ai paralajmëron se kërcënimi nga e ashtuquajtura “bota serbe” është ende real dhe i lidhur ngushtë me interesat e Kremlinit. Ai e sheh këtë si një sfidë që kërkon partneritete të reja rajonale për paqe dhe siguri.
“Unë kam qenë diplomati i parë që e kam aktualizuar këtë rrezik. E ashtuquajtura ‘Bota serbe’ nuk ka të bëjë thjesht me mbrojtjen e pakicave – është një projekt politik, ideologjik dhe fetar, ku Kisha Ortodokse Serbe luan rol qendror. Vetëm pak ditë më parë, patriarku serb ishte në Moskë, ku jo vetëm që u takua me përfaqësues të Kishës Ruse, por edhe me vetë presidentin Putin. Dhe atje u tha qartë: bota serbe dhe bota ruse janë një. Kjo nuk është më thjesht propagandë – është paralajmërim. Agresioni në Ukrainë e dëshmon çfarë ndodh kur këto ideologji nuk ndalen. Prandaj, duhet ndërtuar partneritete të forta për paqe”, nënvizoi Kramariq.
Ambasadori Kramariq thotë se marrëveshja për siguri mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës është shembulli më i mirë që ky rajon mund të qëndrojë bashkë, jo kundër dikujt, por për të ruajtur paqen./RTK