Isa në Prishtinë, sërish

LDK nuk e ndërron kandidatin për Prishtinën. Isa Mustafa sërish do t’i kërkojë vota Kryeqytetit. Nëse i duhet, do të kandidojë edhe për Kryeministër. E pritshme.

Lajme

05/09/2013 10:50

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur të rikandidojë në Prishtinë me Kryetarin e saj, Isa Mustafa.

Po ashtu, edhe pesë deputetë aktualë të kësaj partie do të kandidojnë për kryetarë të komunave prej nga vijnë.

Konfirmimi zyrtar ka ardhur sot nga Sekretari i LDK’së, Ismet Beqiri, në një konferencë për media.

Ai është shprehur i bindur se LDK do të fitojë zgjedhjet në Prishtinë, ndërsa ka thënë se janë të gatshëm edhe për zgjedhje të jashtëzakonshme – nëse Isa Mustafa dëshiron të kandidojë për Kryeministër të Kosovës.

Para gazetarëve nuk është shfaqur vetë Isa Mustafa.

Mesazhet ai ka zgjedhur t’i dërgojë me Facebook.

“Shumë nga ju më inkurajuat që edhe kësaj radhe të kandidohem për Kryetar të Prishtinës.”

“Unë besoj në ju, besoj në qytetarët tanë dhe në degët dhe anëtarësinë e LDK’së. Unë ju respektoj dhe e nderoj verdiktin tuaj.”

“Së bashku me ju do ta zhvillojmë betejën për ta fituar Prishtinën si hap të parë për të fituar komunat e tjera dhe për t’i fituar zgjedhjet nacionale. Ju falenderoj për përkrahje.”