Isa Mustafa tregon pse u takua me Ramush Haradinajn
Isa Mustafa thotë se sot me Ramush Haradinaj janë pajtuar që të bashkëpunojnë në mënyrë që zgjedhjet të jenë të organizuara mirë. Ai thotë se edhe nëse zgjedhjet mbahen para qershorit, nuk prish fare punë. Në ditët në vijim pret të takohet me Albin Kurtin.
![](https://lajmi.net/wp-content/uploads/media/image/201402/full/Mustafa-Haradinaj.jpg)
Lajme
Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa thotë se me Ramush Haradinaj, sot kanë biseduar për nevojën e bashkërenditjes së aktiviteteve në mënyrë që procesi zgjedhor të shkojë sa më mirë.
Në një intervistë dhënë në emisionin Argument Plus të RTV 21, Mustafa thotë se me Haradinaj janë pajtuar që të bashkëpunojnë që zgjedhjet të mbahen sa më shpejt.
“Në takimin me z.Haradinaj kemi biseduar për nevojën që ne të bashkërendisim aktivitetet. Jemi pajtuar poashtu që zgjedhjet duhet të mbahen sa më parë, zgjedhjet të cilat duhet të përgatiten mirë, me një proces normal. Natyrisht se vet fakti që ne po kërkojmë që zgjedhjet të mbahen tani dhe jo në fund të vitit, flet për zgjedhje të parakohshme e jo për zgjedhje të rregullta”.
“Shpresoj që edhe ligji do të aprovohet gjatë marsit dhe do të arrijmë që bashkërisht të krijojmë një agjendë, në mënyrë që të zhvillojmë një proces të rregullt zgjedhor”.
“Ajo për çfarë jemi pajtuar sot është të bashkëpunojmë në mënyrë që ta shtyejmë agjendën, të gjejmë forma ligjore për ta shtyer agjendën dhe të krijojmë kushte që zgjedhjet të mbahen sa më herët.”
“Nëqoftëse mundemi, do t’i mbajmë edhe para qershorit. Nuk na pengojnë fare, ne vetëm dëshirojmë që ta kemi një proces i cili do të mundësojë që zgjedhjet të përgatiten mirë dhe që lidhur me këtë të sigurojmë votën në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Natyrisht se pa vota është e pamundur që të llogarisim se do të shpërndahet Kuvendi ose do ta rrëzojmë Qeverinë dhe Presidentja duhet të shpallë zgjedhjet e ardhshme”.
Isa Mustafa thotë se me Ramush Haradinaj nuk ka folur për opsionin që zgjedhjet të mbahen në qershor, për çka kishte gjetur pajtim me Kryeministrin Thaçi dy javë më parë.
“Ne nuk e kemi shtruar si çështje të pajtimit të tij. Z. Haradinaj është i interesuar që zgjedhjet të mbahen sa më herët, natyrisht që respekton edhe format e partisë, dhe për të marrur një vendim të tillë duhet të kthehemi në forume të partisë”.
Mustafa ka thënë se para se të takohej me Hashim Thaçin ai ka shprehur dëshirë që të takohet me liderët e opozitës. Ai thotë se në ditët në vijim pritet që të takohet me Albin Kurtin e Vetëvendosjes.
“Kam kërkuar ditën që jam takuar me Thaçin që së pari të takoj z.Haradinaj dhe z.Kurti sepse kam pasur dëshirë që së pari të bisedoj me ta para se të takohem me Thaçin”.
“Mirëpo, Haradinaj ka qenë jashtë, nuk kam arritur që ta kontaktoj, e Kurti ka thënë që është i zënë dhe nuk mund të takohemi sepse vullneti im ka qenë që paraprakisht të bisedoj me liderët e partive të cilat janë në opozitë”.
“Do ta takoj edhe z.Kurti. unë do të shoh gjatë këtyre ditëve. Edhe dje kam bërë përpjekje që të kontaktojmë. Gjatë këtyre ditëve do të takohem me të dhe do të ja shpjegoj qëndrimet e LDK’së lidhur me zgjedhjet”.
“Natyrisht që do t’i marr edhe opinionet e tij dhe do të bëj përpjekje që bashkërisht të bashkërendisim punët”, ka thënë Isa Mustafa për RTV 21.