Isa Mustafa më 2015: FSK-ja në veri vetëm me leje të NATO-s

Ish-kryeministri Isa Mustafa, qysh në vitin 2015 kishte bërë të ditur se FSK-ja nuk mund të shkojë ne veri pa lejen e NATO-s.

Lajme

26/02/2020 15:35

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në vitin 2015, kishte deklaruar atë që thuhet në letërkëmbimin ndërmjet ish-kryeministrit Hashim Thaçit dhe ish-sekretarin e NATO-s, Anders Fogh Rasmussen ku thuhet se FSK-ja nuk mund të shkojë në veri pa lejen e NATO-s.

“Është një pajtueshmëri me Aleancën Veri-Atlantike që në veri të vendit të mos shkohet pa marrëveshje me ta. Në çdo rast kur duhet të shkohet, kjo duhet të bëhet në pajtueshmëri me ta. NATO-ja nuk ka asgjë kundër që ne të themelojmë Forcat e Armatosura, por çdo gjë të bëhet në pajtueshmëri”, kishte thënë ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa më 2015, shkruan lajmi.net.

Ndërsa sot, kryeministri Albin Kurti, i cili kohë më parë kishte nënshkruar marrëveshjen qeverisëse me Isa Mustafën e LDK-së ka denoncuar këtë letër-këmbim, duke kërkuar nga organet e drejtësisë të ndjekin të gjithë ata që e kanë nënshkruar.

Kurti ka thënë se nuk është në dijeni se Mustafa dhe Haradinaj kanë miratuar një letër-këmbim të tillë. Por me këtë deklaratë të Mustafës dëshmohet që ai kishte miratuar letërkëmbimin.

Gjatë ditës në media ka qarkulluar edhe një letër e ish-kryeministrit, Ramush Haradinajt, me të cilën ai kishte pranuar këtë letërkëmbim. /Lajmi.net/

Lexo edhe: 

Ky është letërkëmbimi i Ramush Haradinajt me Sekretarin e NATO-s për FSK-në