IPK konfirmon: Incidenti nuk lidhet me detyrën zyrtare, Policia në kërkim të të dyshuarit
Incidenti me armë zjarri që ndodhi sonte në Rrugën “B” në Prishtinë, ku u plagos zyrtari i IPK-së, Arsim Beqiri, nuk lidhet me detyrën e tij zyrtare. Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, Arbër Beka nga IPK. Ai bëri të ditur se Policia dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për zbardhjen e rastit. “IPK ju konfirmon…
Lajme
Incidenti me armë zjarri që ndodhi sonte në Rrugën “B” në Prishtinë, ku u plagos zyrtari i IPK-së, Arsim Beqiri, nuk lidhet me detyrën e tij zyrtare.
Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, Arbër Beka nga IPK.
Ai bëri të ditur se Policia dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për zbardhjen e rastit.
“IPK ju konfirmon se në incidentin e raportuar sot rreth orës 21:00 në Rrugën ‘B’ në Prishtinë është plagosur një zyrtar i IPK-së. Incidenti nuk ndërlidhet me detyrën e tij zyrtare. Aktualisht Policia dhe Prokuroria kanë nisur hetimet, ndërkohë që i dyshuari është tashmë identifikuar”, deklaroi Beka.
Lidhur me rastin, detaje për Lajmi.net ka dhënë edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila konfirmoi se menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar se një person (mashkull) ka mbetur i plagosur dhe është dërguar për trajtim mjekësor.
“Rreth orës 21:00 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në rrugën ‘B’ në Prishtinë. Njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga ku është raportuar se një person është plagosur. Personi i plagosur është dërguar për trajtim mjekësor”, ka deklaruar Ahmeti.
Policia ka bërë të ditur se hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit kanë nisur, ndërsa i dyshuari tashmë është identifikuar dhe është në kërkim. /Lajmi.net/