Arrestohet një zyrtar policor, dyshohet se ushtroi dhunë fizike ndaj një të mituri në Kaçanik
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka njoftuar se ka arrestuar një zyrtar policor cili ishte i angazhuar në policinë kufitare – Stacionin e Policisë Kufitare në Glloboçicë. Sipas njoftimit të lëshuar për media thuhet se hetuesit e IPK-së kishin pranuar informacione dje ku dyshohej se ky zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare ka ushtruar dhunë fizike…

Lajme
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka njoftuar se ka arrestuar një zyrtar policor cili ishte i angazhuar në policinë kufitare – Stacionin e Policisë Kufitare në Glloboçicë.
Sipas njoftimit të lëshuar për media thuhet se hetuesit e IPK-së kishin pranuar informacione dje ku dyshohej se ky zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare ka ushtruar dhunë fizike ndaj një qytetari të moshës së mitur me ç’ rast të njëjtit i janë shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Derisa lidhur me këtë rast zyrtari i dyshuar është arrestuar dhe me aktvendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, teksa IPK-ja ka kërkuar suspendimin për këtë zyrtar.
IPK-ja ka ndërmarrë veprime paraprake hetimore në konsultim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj pas të cilave ka dyshim të arsyeshëm që zyrtari policor ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”
“Në përputhje me kompetencat ligjore dhe në interes të hetimit penal, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për këtë zyrtar policor përderisa veprimet tjera hetimore do të ndërmerren në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj”, thuhet në njoftim. /Lajmi.net/