IPK dhe Policia sqarojnë rastin e arrestimit të policit
Inspektorati Policor dhe Policia njoftojnë se ndaj dy të arrestuarve mbrëmë në pikën kufitare në Vërmicë është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.
Lajme
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe Policia e Kosovës përmes një komunikate të përbashkët njoftojnë se mbrëmë rreth orës 20:00 në pikën kufitare të Vërmicës nga Policia Kufitare është ndaluar vetura “Opel Astra” (me targa të Kosovës), të cilën e drejtonte një zyrtar policor dhe në të cilën si bashkudhëtar ishte edhe një zyrtar i Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur një armë automatike “AK-47” me një karikator me 30 fishekë dhe një pistoletë e tipit “TT” me tetë fishekë.
Bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së, Policia Kufitare ka njoftuar hetuesit e IPK-së të cilët kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.
“Hetuesit kanë kontaktuar me prokurorin kompetent, i cili ka urdhëruar konfiskimin e armëve dhe me vendim të tij ndaj dy të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë”, thuhet në njoftimin e IPK-së dhe Policisë.
Si pjesë e procedurës administrative ndaj zyrtarit policor është marrë edhe masa e suspendimit nga detyra deri në përfundimin e procedurës hetimore.
Zyrtari policor i arrestuar është ish-shefi i operativës për regjionin e Mitrovicës Jugore, Nexhip Gashi./Kallxo.com