Investim 1 milion euro në Mitrovicë, vendoset gurthemeli i Parkut Industrial
Në fshatin Frashër të Mitrovicës është mbajtur ceremonia e inaugurimit të punimeve dhe vendosja e gurthemelit të Parkut Industrial. Vlera e këtij parku shkon në rreth një milion euro. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se plani parasheh që brenda 150 ditëve të përmbyllen punimet. E sipas tij, sivjet do ta prenë shiritin e këtij…
Lajme
Në fshatin Frashër të Mitrovicës është mbajtur ceremonia e inaugurimit të punimeve dhe vendosja e gurthemelit të Parkut Industrial. Vlera e këtij parku shkon në rreth një milion euro.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se plani parasheh që brenda 150 ditëve të përmbyllen punimet. E sipas tij, sivjet do ta prenë shiritin e këtij parku industrial ku do të vendosen bizneset.
“Ne po e lajmë një pjesë të borxhit të cilin ia kemi Mitrovicës me këtë investim afër një milion euro. Këtu mund të vendosen biznese të ndryshme nga Mitrovica, Kosova por edhe investitorë të huaj. Sa më shumë bizneset prodhojnë, krijohen kushte për rritje të eksporteve dhe progres socio-ekonomik. Në Frashër punimet kanë nisur, pas kësaj infrastrukture themelore do të kemi edhe infrastrukturën tjetër që e modernizon parkun industrial. Këtu mund të vinë edhe bizneset nga mërgata”, deklaroi Kurti.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila nënvizoi se me këtë investim, përcillen mesazhe te investitorët e huaj se Kosova është e gatshme dhe vend i sigurt për investime.
“Fillimi i punimeve për një projekt të kësaj natyre jep mesazhin se Kosova është e gatshme dhe e sigurt për investime. Ne si qeveri e ministri jemi të përcaktuar të punojmë në zëvendësimin e importeve me prodhimin vendor por edhe në vendosjen e Kosovës si vend që ka prodhime me vlerë të shtuar. Në këtë park do të ketë kompani prodhuese. Kjo e bënë Kosovën vend që po iu tregon edhe kompanive të BE-së që mund të vijnë, e me çmime të favorshme mund të prodhojnë nga Republika e Kosovës”, shtoi ajo.
Ndërsa, kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci u zotua se do të krijojnë kushte më të mira për të bërit biznes në këtë komunë.
“Mitrovica do ta ketë vëmendjen edhe më të shtuar në aspektin e investimeve që do të ndikojë në ekonominë qarkore të Mitrovicës. Zotimi im është që të krijojmë kushte më të favorshme të të bërit biznes. Mitrovica si komunë në këtë fazë e ka mundësinë të transformohet në njërin nga qytetet më të zhvilluara. Ambicia jonë është që të vazhdojmë”, potencoi ai./ rtk