Haxhiu kujton 82 viktimat e Masakrës së Qyshkut: Serbia e ktheu vrasjen e shqiptarëve në metodë lufte

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar 27-vjetorin e Masakrës së Qyshkut, ku u vranë 82 civilë shqiptarë nga forcat serbe. Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu kujtoi me nderim martirët e Qyshkut, Zahaqit dhe Pavlanit, të vrarë më 14 maj 1999 gjatë luftës në Kosovë. Ajo tha se atë mëngjes…

Lajme

14/05/2026 11:21

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar 27-vjetorin e Masakrës së Qyshkut, ku u vranë 82 civilë shqiptarë nga forcat serbe.

Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu kujtoi me nderim martirët e Qyshkut, Zahaqit dhe Pavlanit, të vrarë më 14 maj 1999 gjatë luftës në Kosovë.

Ajo tha se atë mëngjes këto fshatra u goditën nga një operacion i organizuar i forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, ku gratë, fëmijët dhe të moshuarit u dëbuan nga shtëpitë, ndërsa burrat u ndanë, u plaçkitën, u mbyllën në shtëpi dhe më pas u vranë.

“Shtëpitë u dogjën për t’i mbuluar gjurmët e krimit”, shkroi Haxhiu.

Sipas saj, në Qyshk, Zahaq dhe Pavlan u vranë njerëz të paarmatosur, banorë dhe mysafirë që lufta i kishte gjetur aty, ndërsa u prekën familje të tëra dhe u dëbuan civilë shqiptarë nga vendi i tyre.

Haxhiu theksoi se këto masakra mbeten dëshmi e një mizorie të planifikuar dhe e një aparati shtetëror që, sipas saj, “e ktheu vrasjen e shqiptarëve në metodë lufte dhe dëbimin në qëllim politik”.

Ajo shtoi se drejtësia për këto krime mbetet detyrim ndaj familjeve të viktimave, të mbijetuarve dhe Republikës së Kosovës.

“I përhershëm qoftë kujtimi për martirët e Qyshkut, Zahaqit dhe Pavlanit”, përfundoi Haxhiu. /Lajmi.net/