Instagrami nuk do të jetë më kurrë i njëjti pas kësaj risie

9:26 | 1 Maj 2019

Instagram mund të heqë qafe numrin e “pëlqimeve” në postimet si pjesë e një përpjekjeje për ta bërë rrjetin social më pak stresues, sipas një njoftimi të mbrëmshëm.

Platforma për shpërndarjen e fotografive dhe videove, e popullarizuar në mesin e adoleshentëve, është akuzuar për nxitjen e ngacmimeve kibernetike dhe për lejimin e komuniteteve që mbështesin vetë-dëmtimin dhe çrregullimet e të ngrënit, transmeton lajmi.net.

Dje kompania, në pronësi të Facebook, njoftoi se po provonte një skemë në Kanada, e cila do të fshihte numrin e pëlqimeve në postimet e përdoruesve.

Sipas Instagram, vetëm përdoruesit që kanë publikuar postimin do jenë në gjendje të kenë një pasqyrim të përgjithshëm të numrit të pëlqimeve në të.

“Duam që njerëzit të shqetësohen më pak në lidhje me atë se sa pëlqime marrin në Instagram dhe të shpenzojnë më shumë kohë me njerëzit që kanë të afërt”, deklaroi shefi i Instagram-it Adam Mosseri, në konferencën e San Joses.

Kompania që është në posedim të tri platformave të mëdha sociale ka premtuar përditësime edhe në ‘Facebook’, me këtë të fundit për të cilin thuhet se do të ketë një pamje krejtësisht të re të pjesës së ‘News Feed’. /Lajmi.net/