Inspektorja e Autoritetit të Konkurrencës, Gresa Latifi nuk tërhiqet lehtë pas pezullimit, ngre akuza për “hakmarrje institucionale”

Brenda pak muajsh, dy inspektorë hetues të konkurrencës në Autoritetin e Konkurrencës së Republikës së Kosovës (AKRK) janë pezulluar nga puna pa pagesë për një periudhë prej gjashtë muajsh. Më 27 prill 2026, Komisioni Disiplinor i AKRK-së kishte shqiptuar masën e pezullimit ndaj inspektores hetuese të konkurrencës, Gresa Latifi, ndërsa më 2 korrik 2026 e…

Lajme

08/07/2026 11:36

Brenda pak muajsh, dy inspektorë hetues të konkurrencës në Autoritetin e Konkurrencës së Republikës së Kosovës (AKRK) janë pezulluar nga puna pa pagesë për një periudhë prej gjashtë muajsh.

Më 27 prill 2026, Komisioni Disiplinor i AKRK-së kishte shqiptuar masën e pezullimit ndaj inspektores hetuese të konkurrencës, Gresa Latifi, ndërsa më 2 korrik 2026 e njëjta masë është marrë edhe ndaj inspektorit hetues të konkurrencës, Shemsi Elezi.

Sipas vendimeve të Komisionit Disiplinor, ndaj Latifit dhe Elezit ishin zhvilluar procedura disiplinore, ku institucioni kishte konstatuar shkelje të rënda të detyrës zyrtare.

Në rastin e Latifit, Komisioni kishte përmendur deklarime të pabazuara, komunikim joprofesional, mosrespektim të hierarkisë institucionale dhe paraqitje të pretendimeve ndaj drejtuesve të institucionit, të cilat, sipas vendimit, nuk ishin të mbështetura me prova.

Ndërkaq, për Elezin, Komisioni kishte konstatuar se ai kishte refuzuar të merrte pjesë në një inspektim të përbashkët me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Administratën Tatimore të Kosovës, nuk kishte dorëzuar raportet mujore brenda afateve të përcaktuara dhe kishte komunikuar jashtë zinxhirit hierarkik.

Pas këtyre vendimeve, Gresa Latifi ka reaguar publikisht, duke kundërshtuar arsyetimin e masave disiplinore dhe duke pretenduar se pezullimi i saj dhe i kolegut të saj lidhet me denoncimet për parregullsi brenda institucionit.

“Po e them me bindje të plotë se, nga i gjithë stafi i Sekretariatit të Autoritetit të Konkurrencës, vetëm unë dhe z. Elezi nuk kemi heshtur asnjëherë përballë paligjshmërive që, sipas bindjes sonë dhe fakteve që kemi denoncuar, po ndodhin tash e më shumë se tre vite në këtë institucion.”, thuhet në reagim.

Ajo ka thënë se masat disiplinore ndaj tyre janë ndërmarrë për t’i penguar që të vazhdojnë ngritjen e shqetësimeve për funksionimin e institucionit.

“Pikërisht për këtë arsye, masat disiplinore po ndërmerren vetëm ndaj nesh, në një përpjekje për të na frikësuar dhe për të na penguar të vazhdojmë ngritjen e zërit, si brenda institucionit, ashtu edhe para opinionit publik”, ka thënë ajo.

Latifi ka kërkuar nga institucionet kompetente që të hetojnë pretendimet e ngritura prej saj.

“Prandaj, i bëj thirrje publike dhe urgjente Policisë së Kosovës, Prokurorisë së Shtetit dhe gjykatave kompetente që të veprojnë pa vonesë, të zhvillojnë hetime të plota, të pavarura dhe profesionale mbi të gjitha pretendimet e ngritura dhe të rikthejnë besimin e qytetarëve se askush nuk është mbi ligjin”, ka deklaruar Latifi.

Ajo ka përmendur edhe një vendim të organit mbikëqyrës, për të cilin thotë se ka aprovuar një ankesë të saj ndaj një pezullimi të mëparshëm, duke pretenduar se procedura ishte bazuar në supozime dhe jo në fakte të vërtetuara.

Reagimi i plotë:

REAGIM PUBLIK

Heshtja Institucionale po e mban peng Autoritetin e Konkurrencës. Dy vite denoncime zero veprime.

Para një kohe u bë publik pezullimi im nga puna. Tani është bërë publik edhe pezullimi i kolegut tim, z. Shemsi Elezi. Shemsi Elezi

Po e them me bindje të plotë se, nga i gjithë stafi i Sekretariatit të Autoritetit të Konkurrencës, vetëm unë dhe z. Elezi nuk kemi heshtur asnjëherë përballë paligjshmërive që, sipas bindjes sonë dhe fakteve që kemi denoncuar, po ndodhin tash e më shumë se tre vite në këtë institucion.

Pikërisht për këtë arsye, masat disiplinore po ndërmerren vetëm ndaj nesh, në një përpjekje për të na frikësuar dhe për të na penguar të vazhdojmë ngritjen e zërit, si brenda institucionit, ashtu edhe para opinionit publik.

Për më shumë se dy vite, një nga institucionet më të rëndësishme ekonomike të Republikës së Kosovës, Autoriteti i Konkurrencës, është bllokuar në funksionimin e tij. Sipas bindjes sime, zyrtarët përgjegjës kanë pamundësuar ushtrimin normal të kompetencave të anëtarëve të Bordit, duke bllokuar trajtimin e rasteve dhe funksionimin e rregullt të institucionit.

Po ashtu, Ligji për Zyrtarët Publikë parasheh pezullimin e Drejtorit të Përgjithshëm, z. Selajdin Beqa, ndërsa ndaj tij janë ngritur dy aktakuza që lidhen me ushtrimin e detyrës zyrtare. Megjithatë, zbatimi i këtij detyrimi është penguar fillimisht nga zyrtarët përgjegjës e më pas edhe nga titullarja e Institucionit, dhe arsyeja e mos këtij pezullimit dhe bllokimit i rasteve nën hetime dhe bllokimi i institucionit është e qartë….!

Në të njëjtën kohë, titullarja ka iniciuar në mënyrë të përsëritur procedura disiplinore ndaj meje, ndonëse ato janë të pabazuara në fakte dhe prova por ne krijimin e insituatave, shpifjeve e deri në bashkëpunime me palë nën hetime. Këto veprime janë ndërmarrë në bashkërendim në grupacion nga disa zyrtarë, me qëllim largimin tim nga vendi i punës sepse qëllimi është largimi im nga trajtimi i rasteve shumë të rëndësishme për tregun e Kosovës që i kisha në procedurë.

Për më tepër, organi mbikëqyrës, duke vendosur për një ankesë timen, i ka kufizuar kompetencën titullares duke ja humbur besimin për të iniciuar procedura disiplinore ndaj meje, duke konstatuar shkelje të dispozitave të Ligjit për Zyrtarët Publikë. Pavarësisht këtij vendimi, procedurat janë iniciuar sërish, ndërsa Drejtori i Administratës, në cilësinë e kryesuesit të Komisionit Disiplinor, ka vazhduar procedimin e tyre dhe ka marrë masa disiplinore ndaj meje.

Të gjitha këto rrethana, të marra së bashku, ngrenë dyshime serioze për veprim të koordinuar brenda institucionit, me qëllim të pengimit të zbatimit të ligjit, ndëshkimit të zyrtarëve që denoncojnë parregullsitë dhe mbrojtjes së interesave të caktuara në dëm të ligjshmërisë dhe funksionimit normal të institucionit. Pikërisht për këtë arsye kërkoj një hetim të plotë, të pavarur dhe profesional nga organet kompetente.

Pezullimi im dhe ai i z. Shemsi Elezi nuk lidhen me ndonjë shkelje të detyrës zyrtare. Arsyeja e vetme është se kemi refuzuar të heshtim dhe kemi kundërshtuar veprimet që i kemi konsideruar të kundërligjshme dhe të dëmshme për institucionin. Kjo është forma më e pastër e hakmarrjes institucionale ndaj atyre që denoncojnë parregullsitë.

Kujtoj opinionin publik se ndaj z. Selajdin Beqa është ngritur aktakuzë lidhur me rastin e sulmit fizik ndaj z. Shemsi Elezi në ambientet e institucionit. Megjithatë, ai vazhdon të ushtrojë detyrën dhe, për më tepër, merr pjesë në proceset disiplinore që kanë rezultuar me pezullimin tonë. Kjo ngre dyshime serioze për konflikt interesi dhe cenim të paanshmërisë së procedurave disiplinore.

Po aq shqetësues është fakti se zyrtarë që, sipas pretendimeve tona, kanë refuzuar të zbatojnë detyrimet ligjore në këtë rast, janë përfshirë në komisionet disiplinore që kanë vendosur për pezullimin tonë. Kjo e minon besimin në ligjshmërinë dhe objektivitetin e këtyre vendimeve.

Edhe më shqetësues mbetet fakti se, pavarësisht kallëzimeve penale, padive dhe provave që kemi dorëzuar tash e dy vite, deri më sot nuk kemi parë një reagim efektiv nga organet kompetente. Heshtja institucionale përballë dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare, tejkalim të kompetencave dhe shkelje të tjera të mundshme ligjore vetëm sa e thellon mosbesimin e qytetarëve në sundimin e ligjit.

Vlen të thekësohet se për të gjitha ankesat nga ana ime kundër masave disiplinore ndaj meje, janë marrë vendime pozitive në favorin tim nga organet kompetente, dëshmi e qartë që asnjë shkelje për tri vite nuk ka qenë nga ana ime.

Këtë muaj, kam pranuar Vendimin e organit mbikqyrës ku në shkallën e parë kan aprovuar ankesën time për pezullimin e parë nga vendi i punës, po e ndaj me ju një pjesë nga Vendimi, citim: “ Kolegji I Këshillit referuar kuadrit ligjor si më sipër, ka analizat aktin e kundërshtuar në ndërlidhjen me provat materiale të parashtuara nga palët në procedurë dhe si rrjedhojë konstatoi se akti i kundërshtuar me ankesë është nxjerrë më vërtetim jo të drejtë të fakteve relevante dhe si pasojë është nxjerrë në kundërshtim me ligjin material, sepse kërkesa për inicimin e procedurës disiplinore ndaj ankuesës është bërë mbi bazën e supozimeve”.

Pra, komisioni disiplinor, I krijuar nga zyrtar që vetë duhen të jenë në pezullim, dhe me konflikt të pastër interesi, më pezullojn nga vendi i punës në bazë të pretendimeve, pa asnjë shkelje reale nga ana ime te konstatuar me prova. Këtu është një pyetje që duhet ta parashtrojn organet e rendit, Pse ky komision po bënë shkelje të rënda duke pezulluar zyrtarë nga vendi i punës pa asnjë faktë dhe provë për shkelje, sepse përgjigja do të ishte interesante, (kam qenë e pandëgjuar kur kanë tentuar të më ndërhyjnë në rastet nën hetime, e po ashtu duke mi marrë rastet jashtëligjshëm dhe dhunshëm, për ti bllokuar më pastaj).

Prandaj, i bëj thirrje publike dhe urgjente Policisë së Kosovës, Prokurorisë së Shtetit dhe gjykatave kompetente që të veprojnë pa vonesë, të zhvillojnë hetime të plota, të pavarura dhe profesionale mbi të gjitha pretendimet e ngritura dhe të rikthejnë besimin e qytetarëve se askush nuk është mbi ligjin.

Nuk do të hesht. Nuk do të tërhiqem. Lufta ime është për të mbrojtur ligjshmërinë dhe mbrojtjen e interesit publik, dhe nuk mbyll sytë para keqpërdorursve të pozitave zyrtare për interese të tyre personale.

Me respekt!