Trumpi kritikon sërish NATO-n: Spanja është partnere e tmerrshme
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kritikuar sërish aleancën e NATO-s, duke thënë se nuk është i kënaqur me mënyrën se si është trajtuar SHBA-ja në çështjen e Grenlandës dhe me refuzimin e disa vendeve për ta ndihmuar lidhur me Iranin. Trump ka folur për këtë temë gjatë ditës së dytë të Samitit…
Bota
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kritikuar sërish aleancën e NATO-s, duke thënë se nuk është i kënaqur me mënyrën se si është trajtuar SHBA-ja në çështjen e Grenlandës dhe me refuzimin e disa vendeve për ta ndihmuar lidhur me Iranin.
Trump ka folur për këtë temë gjatë ditës së dytë të Samitit të NATO-s në Ankara, ku ka veçuar edhe shtetet që, sipas tij, nuk kanë ofruar mbështetje të mjaftueshme.
Në veçanti, ai ka kritikuar Spanjën, duke e quajtur një partnere të dobët brenda NATO-s dhe duke bërë thirrje për ndërprerje të raporteve tregtare me të.
“Spanja është partnere e tmerrshme në NATO. Ata nuk marrin pjesë, ata nuk paguajnë. Nuk dua asgjë që ka të bëjë me Spanjën. Shkëputni të gjithë tregtinë me Spanjën, përfshirë vizitat. Nuk duam asgjë. Le t’i shohim tek vrapojnë për t’u kthyer”, ka thënë Trump.
Duke folur për çështjen e Grenlandës, presidenti amerikan ka deklaruar se NATO-ja nuk e ka trajtuar siç duhet Shtetet e Bashkuara.
Trump ka thënë se “Grenlanda është problem i madh”, duke shtuar se SHBA-ja po shpenzon shumë për mbrojtjen e shteteve nga Rusia, ndërsa, sipas tij, nuk po merr mbështetje të mjaftueshme në këmbim.
Ai gjithashtu ka përsëritur se “nuk është i lumtur me NATO-n, për atë që ka bërë me Grenlandën” dhe për qëndrimin e disa vendeve lidhur me Iranin.