Injorohet këshilla e SHBA-së – KQZ refuzon certifikimin e Listës Serbe, përkundër paralajmërimit të Anu Pratipatti

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të mos e certifikojë Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të vjeshtës, duke shpërfillur kështu qëndrimin e qartë të shprehur sot nga e ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Anu Pratipatti. Pavarësisht se Ambasada Amerikane paralajmëroi se “serbët e Kosovës duhet të kenë mundësinë e plotë…

Lajme

21/08/2025 19:17

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të mos e certifikojë Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të vjeshtës, duke shpërfillur kështu qëndrimin e qartë të shprehur sot nga e ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Anu Pratipatti.

Pavarësisht se Ambasada Amerikane paralajmëroi se “serbët e Kosovës duhet të kenë mundësinë e plotë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre” dhe shprehu “shqetësim për çdo përpjekje që do të kufizonte këtë të drejtë”, KQZ-ja votoi kundër certifikimit të Listës Serbe. Vetëm dy anëtarë votuan për, dy ishin kundër, ndërsa shtatë abstenuan – një numër që e bëri të pamundur kalimin e vendimit për certifikim.

Lëvizja Vetëvendosje, përmes përfaqësuesve të saj në KQZ, ishte e vetmja forcë që votoi kundër, me arsyetimin se Lista Serbe përfaqëson “dorën e zgjatur të regjimit të Vuçiqit” dhe ka “trashëgimi terroriste”. Nga ana tjetër, PDK, LDK dhe AAK zgjodhën të abstenuojnë – një veprim që, megjithëse nuk ishte votë direkte kundër, ndikoi që certifikimi të refuzohet.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Kosovës, e udhëhequr nga Donika Gërvalla, kishte konfirmuar më herët se nuk kishte asnjë vërejtje ligjore ndaj kandidatëve të Listës Serbe dhe se asnjëri prej tyre nuk figuron në listat ndaluese të institucioneve të drejtësisë.

Vendimi i KQZ-së pritet të shkojë për shqyrtim në PZAP, ku sipas ekspertëve ligjorë dhe organizatave të shoqërisë civile, mund të rrëzohet si i paqëndrueshëm ligjërisht./lajmi.net/