Incidenti me zyrtarët policorë, Prokuroria kërkon vazhdimin e masës së paraburgimit për Nuredin Lushtakun
Janë bërë një muaj që nga dita kur Policia e Kosovës ka vënë nën pranga ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, Nuredin Lushtaku. Lushtaku dhe dy persona të tjerë të dyshimtë të familjes së tij, janë arrestuar nën dyshimin për plagosjen e dy policëve në Skenderaj. Kurse Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka kërkuar vazhdimin e masës…

Lajme
Janë bërë një muaj që nga dita kur Policia e Kosovës ka vënë nën pranga ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, Nuredin Lushtaku.
Lushtaku dhe dy persona të tjerë të dyshimtë të familjes së tij, janë arrestuar nën dyshimin për plagosjen e dy policëve në Skenderaj.
Kurse Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit për Nuredin Lushtakun dhe të tjerët.
Kjo është konfirmuar për lajmi.net, nga zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.
“Prokurorja ka propozuar vazhdimin e paraburgimit për tre (3) personat që gjenden në paraburgim”.
Ndryshe natën e 3 korrikut është raportuar për një incident që ka ndodhur në Skenderaj, ku të lënduar mbetën dy zyrtarë policorë.
Përmes një deklarate për media nga Policia e Kosovës është thënë se zyrtarët policorë janë sulmuar gjatë një pike të kontrollit në Skenderaj, ku njëri është plagosur në këmbë dhe tjetri është lënduar nga mjetet e forta.
Deri tek rasti sipas raportimeve të para theksohet të ketë ardhur për shkak të shqiptimit të një gjobe në trafik, në drejtim të djalit të Nuredin Lushtakut.
Pas kësaj, ish-deputeti bashkë me disa familjarë të tjerë ishin nisur drejt pikës së kontrollit ku gjendeshin këta zyrtarë policorë.
Me të arritur në vendin e ngjarjes kishte nisur edhe incidenti në fjalë, ku Nuredin Lushtaku dhe të tjerët më pas kishin sulmuar policët.
Pas raportimit për këtë ngjarje, Policia e Kosovës ka arrestuar Lushtakun teksa të njëjtit sot i është vazhduar masa e paraburgimit.
Si fillim Lushtaku kishte deklaruar se ngjarja nuk është e tillë dhe se nuk e ka plagosur askënd.
“S’është ashtu hiç. Por aksidenti ka ndodhë, ka ndodhë telashja, as nuk e kam plagos unë kë, as nuk e kanë plagos vëllaznia, as djemtë. Polici e ka plagos policin. As nuk kemi përdorë armë na, e them me përgjegjësi të plotë. Mbetet me raportu edhe policia. Unë e kam dhënë deklaratën, unë jam i gatshëm me deklaru çka ka qenë. Polici ua ka drejtu armën vëllaznive, ka ndodhë përleshja. Nuk e di a ka gjujtë me tut kë a me vra, e din ai çka thotë. Unë e kam dhënë deklaratën tem, policin nuk e kemi plagos na. Më vjen keq çfarë ka ndodhë, por kjo është e vërteta, nuk kemi plagos askënd, nuk kemi përdorë armë”, tha Lushtaku.
“Unë për vete as nuk kam pas armë e as nuk kam plagos kë, as djemtë e mijë as vëllëzerit”,pati thënë ai./Lajmi.net/