Imeri: Kërkesa për ekstradimin e Radoiçiqit është e drejtë – e rëndësishme që zëri i Kosovës të dëgjohet në SHBA

Politologu Dorajet Imeri, ka thënë se është në të drejtën e Kosovës të kërkojë ekstradimin e Milan Radoiçiqit i akuzuari kryesor për sulmin terrorist në Banjskë, por ka thënë se Kosova ka nevojë që zëri i saj të dëgjohet në arenën ndërkombëtare. Imeri duke folur për deklaratën e kryeministrit në detyrë që kërkoi trysni ndaj…

Lajme

16/06/2025 21:47

Politologu Dorajet Imeri, ka thënë se është në të drejtën e Kosovës të kërkojë ekstradimin e Milan Radoiçiqit i akuzuari kryesor për sulmin terrorist në Banjskë, por ka thënë se Kosova ka nevojë që zëri i saj të dëgjohet në arenën ndërkombëtare.

Imeri duke folur për deklaratën e kryeministrit në detyrë që kërkoi trysni ndaj Begoradit për përparim në dialog pas deklaratës së Trump, tha se është e rëndësishme që zëri i Kosovës të dëgjohet në ShBA.

“Pajtohem plotësisht, por unë mendoj që Kosova duhet të bëjë presion diplomatik që të angazhojë në kapacitete të plotat ambasadën e Kosovës në ShBA, që të ristrukturojë lobet që dikur kanë qenë më të fuqishme se sa sot, që të bashkëpunojnë në mënyrë të shtuar me gjithë eksponentët e politikës botërore. Nuk mjaftohet me deklarata, është në të drejtën e Kosovës të kërkojë Radoiçiqin si shkaktarin në përpjekjeje për aneksimin e Kosovës. Por unë besoj që problematika shkon përtej saj. Ne kemi nevojë të dëgjohemi si zë në arenën ndërkombëtare, kemi nevojë për bashkërendim me aleatët tanë strategjik…Është tepër e rëndësishme që Kosova të dëgjohet në ShBA. Është shumë e rëndësishme që presidenti amerikan ta ketë të qartë, se cili do duhej të jetë opsioni”, ka thënë Imeri në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Presidenti amerikan, Donald Trump të dielën tha se do ta zgjidh sërish problemin mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se në mandatin e kaluar ndali konfliktin “që ishte gati” të shpërthejë.

Për deklaratën e Trump ka folur edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Kurti ka thënë se beson në mundësinë e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por sipas tij trysnia për këtë duhet të jetë mbi Beogradin.

Ai ka theksuar se në këtë drejtim, roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si aleati kryesor i Kosovës është gjithmonë i mirëpritur.

“Unë besoj që normalizimi është i mundur, trysnia duhet të jetë mbi Beogradin, dhe gjithmonë e mirëpresim rolin e SHBA të cilët paraqesin aleatin tonë kryesor, partnerin e pazëvendësueshëm dhe mikun special në tri fusha kryesore: e para mbrojtja, e dyta është diplomacia dhe e treta është zhvillimi”, ka thënë Kurti të hënën në një prononcim për media.