Imami Zeqirja Qazimi përballet me akuza për terrorizëm

Për herë të parë, Kosova pritet t’i ndjekë penalisht qytetarët për lidhje të supozuara me organizatën terroriste të Shtetit Islamik (IS).

Lajme

11/03/2015 21:11

Rreth 55 të dyshuar janë arrestuar që nga viti i kaluar si pjesë e përpjekjeve policore për të penguar përpjekjet e rekrutimeve terroriste dhe për të parandaluar të rinjtë që të shkojnë në Siri dhe Irak, shkruan SETimes.

Zeqirja Qazimi, imam i xhamisë El-Kudus në Gjilan, ka qenë një prej shtatë të dyshuarve terroristë të dënuar më 2 mars.

Në fund të muajit shkurt, një 17 vjeçar nga Gjilani u arrestua në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës para se të nisej për në Turqi që t’i bashkohej IS-it në Siri.

Qazimi akuzohet për keqpërdorim të pozitës së tij si imam duke nxitur publikisht urrejtje dhe jo tolerancë kombëtare, racore, fetare dhe etnike, ka thënë Liridona Kozmaçi nga Zyra e Prokurorit Special të Kosovës.

Pesë nga shtatë të pandehurit ishin bërë gati që të “shkojnë në luftë në Siri për t’iu bashkuar një grupi të shqiptarëve që janë duke luftuar në anën e organizatës terroriste IS”, ka thënë zyra e prokurorit përmes një komunikate për media.

Dy të tjerë, përfshi edhe imamin, u akuzuan për rekrutim të luftëtarëve apo për “thirrje ndaj të tjerëve që të kryejnë apo të marrin pjesë në kryerjen e akteve terroriste”, thuhet në komunikatë. Të dyshuarit u arrestuan ndaras nga muaji qershor deri në tetor të vitit 2014.

Pesë të pandehur, përfshi edhe imamin, kanë mbetur në paraburgim që kur janë arrestuar, ndërsa njëri nga të dyshuarit është në arrest shtëpiak dhe një tjetër është në lirim me kusht, raporton AFP.

“Rreth 300 qytetarë të Kosovës deri më tani kanë luftuar në luftërat në Siri dhe Irak”, pati thënë ministri i Brendshëm i Kosovës, Skender Hyseni, më 4 mars. Së paku 30 janë vrarë, shtoi ai. Autoritetet kosovare kanë arrestuar edhe 150 ish-luftëtarë, rekrutë dhe nxitës.

Kosova ka paralajmëruar qytetarët e vet që të mos iu bashkohen luftërave të huaja. Komuniteti Islamik i Kosovës i është bashkuar thirrjeve të tilla, duke thënë se konfliktet nuk kanë të bëjnë asgjë me islamin.

Kosova ka adoptuar masa për të larguar fenomenin e xhihadist të huaj. Në janar, parlamenti ka aprovuar dënime me burg deri në 15 vjet për ata që shpallen fajtorë.

Plani për të dënuar grupin e parë të të dyshuarve për terrorizëm tregon se prokurorët janë duke e bërë punën e tyre, ka thënë Seb Bytyçi nga Instituti për Politika Ballkanike në Prishtinë.

“Në ndërkohë, Kosova duhet të mendojë për rehabilitimin e atyre që kthehen nga Siria”, ka thënë ai për SETimes.

Zëvendës-presidentja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, gjithashtu ka shprehur mbështetjen e saj për përpjekjet e Kosovës ndaj terrorizmit.

“Isha shumë e lumtur që Parlamenti i Kosovës hartoi një ligj specifik mbi luftëtarët e huaj dhe se dëshirojnë me të vërtetë të bashkëpunojnë me Bashkimin Evropian”, ka thënë Lunacek. Ajo ka theksuar se kjo është një prej arsyeve se përse është me rëndësi për Kosovën që të bëhet anëtare e plotë e Europolit dhe Interpolit.

“Derisa të mos ndodhë kjo, Kosova do të vazhdojë të bashkëpunojë me SHBA-të, Interpolin dhe Europolin për t’u përballur me këtë kërcënim global”, ka thënë Hyseni.

Edhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi ka konfirmuar përkushtimin e Kosovës në ruajtjen e sigurisë rajonale.

“Kosova është dhe do të mbetet një shembull në rajon në luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit”, ka thënë ai, duke folur në një takim me zyrtarët amerikanë në Washington më 2 mars.