IKSHPK: Monitorimi i ujit të pijshëm vazhdon, probleme në disa zona të Gjilanit dhe Klinës
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në bashkëpunim me qendrat rajonale të shëndetit publik, ka njoftuar se po vazhdon monitorimin e rregullt të cilësisë së ujit të pijshëm në të gjithë territorin e Kosovës. Sipas rezultateve të analizave të kryera më 15 janar 2026, situata mbetet e pandryshuar në rajonet e Prishtinës, Mitrovicës,…
Lajme
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në bashkëpunim me qendrat rajonale të shëndetit publik, ka njoftuar se po vazhdon monitorimin e rregullt të cilësisë së ujit të pijshëm në të gjithë territorin e Kosovës.
Sipas rezultateve të analizave të kryera më 15 janar 2026, situata mbetet e pandryshuar në rajonet e Prishtinës, Mitrovicës, Ferizajt, Prizrenit dhe Gjakovës, ku uji është brenda standardeve të lejuara për konsum.
Megjithatë, IKSHPK ka bërë të ditur se ka përjashtime në rajonet e Gjilanit dhe Pejës, ku në disa zona uji nuk rekomandohet për pije.
Rajoni i Gjilanit
Në zonën e Kamenicës, konkretisht në Stacionin nr. 1 dhe Besa Center, cilësia e ujit është brenda standardeve të lejuara.
Ndërkaq, në Stacionin e pompimit nr. 2, lagjen Bahqja dhe fshatin Berivojcë, është vërejtur rritje e vlerave të nitrateve mbi kufijtë e lejuar, për çka uji në këto zona nuk rekomandohet për pije.
Rajoni i Pejës
Në komunat Pejë, Deçan, Junik dhe Istog, cilësia e ujit vazhdon të jetë brenda standardeve për pije.
Ndërsa në Klinë, si në rrjetin nga puset ashtu edhe në rrjetin nga burimi Jarinë, për shkak të vlerave të rritura të turbullirës, uji nuk rekomandohet për konsum.
IKSHPK ka bërë apel që qytetarët në zonat e prekura të respektojnë rekomandimet dhe njoftimet zyrtare, ndërsa monitorimi i cilësisë së ujit do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. /Lajmi.net/