“Igor Popoviq vetëm zbatues”, profesori serb thotë Vuçiq urdhëroi spiunimin e takimeve në Bruksel

Spiunimi i zyrtarëve të Bashkimit Evropian në takimet në Bruksel nga Igor Popoviq është urdhëruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Kështu ka deklaruar profesori serb i së Drejtës në Fakultetin Juridik në veri të Mitrovicës, Dejan Miroviq. I ashtuquajturi zëvendësdrejtori në detyrë i Zyrës për Kosovë është gjobitur dhe dëbuar për dy vjet me…

Lajme

11/08/2025 18:10

Spiunimi i zyrtarëve të Bashkimit Evropian në takimet në Bruksel nga Igor Popoviq është urdhëruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Kështu ka deklaruar profesori serb i së Drejtës në Fakultetin Juridik në veri të Mitrovicës, Dejan Miroviq.

I ashtuquajturi zëvendësdrejtori në detyrë i Zyrës për Kosovë është gjobitur dhe dëbuar për dy vjet me një vendim nga gjykata të premten në një seancë të hapur në Prishtinë, për shkak të fyerjeve që ai bëri ndaj luftës çlirimtare të Kosovës gjatë një vizite në komunën e Rahovecit.

“Kjo është tema kryesore që duhet të hetohet, dhe nga e cila të gjithë tani po ‘lajnë duart’ duke mashtruar publikun serb, sepse kjo do të hapte edhe çështjen e përgjegjësisë së Vuçiqit, i cili urdhëroi spiunazhin”, ka thënë Miroviq për Danas, transmeton KosovaPress.

Ministria e Drejtësisë e Serbisë ka propaganduar se pranimi i fajësisë nga ana e të ashtuquajturit ndihmësdrejtor i zyrës për Kosovë Igor Popoviq është bërë “nën presion”, duke thënë se kjo është plotësisht e pavërtetë. Kjo erdhi pasi Popoviq pretendoi të njejtën në Serbi, pas dëbimit nga Kosova.

Për këtë ka reaguar ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka dematuar pretendimet e Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, duke i kujtuar se vetë Popoviq kishte pranuar fajësinë.

E në një postim në rrjetet sociale, ka reaguar edhe kryetari i bordit të Institutit Octopus, Agim Musliu i cili ka thënë se “Popoviq në një seancë të hapur dhe të monitoruar edhe nga media, u pajtua publikisht me deklaratën e përfaqësuesit të tij ligjor që pranon fajësinë për veprën penale nxitje e përçarjes dhe mos durimit dhe marrëveshjen me Prokurorinë Speciale të Kosovës”.

Lidhur me këto profesori serb ka thënë se marrëveshja për pranimin e fajësisë dhe vendimi për Popoviqin janë po aq të vlefshme sa Marrëveshja e Ohrit.

“Popoviqi mohon atë që ka ndodhur dhe atë që ka deklaruar para gjykatës në Prishtinë, ndërsa Ministria e Drejtësisë pretendon se marrëveshja për pranimin e fajësisë dhe vendimi janë rezultat i shtrëngimit dhe nuk kanë efekt real, gjë që nuk është absolutisht e vërtetë. Ato janë po aq të vlefshme sa Marrëveshja e Ohrit, të cilën Vuçiqi dyshohet se nuk e ka pranuar dhe e cila është përfshirë në Kapitullin 35 mbi negociatat e integrimit evropian të Serbisë. Deklarata e Ministrisë së Drejtësisë është një dilemë ligjore”, ka thënë Miroviq, transmeton KosovaPress.

Të premten, Prokuroria Speciale e Kosovës ka vendosur që i akuzuari Igor Popoviq të dënohet me gjobë prej tre mijë eurosh dhe dëbim prej dy vjetësh, pas arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë mes të dy palëve.

Sipas aktakuzës, më 18 korrik 2025, rreth mesditës, Popoviq ka mbajtur një fjalim publik në Rahovec me përmbajtje që, sipas Prokurorisë, nxit urrejtje dhe përçarje ndëretnike. Gjatë fjalës së tij, ai ka bërë deklarata që cilësohen si nxitëse ndaj grupeve etnike. Për këtë masë u pajtua edhe vetë i akuzuari Popoviq dhe mbrojtja e tij.

Avokati i të akuzuarit Igor Popoviq, Millosh Delleviq ka thënë se i qëndrojnë mbrapa marrëveshjes së arritur me Prokurorinë Speciale. Ndërkaq, i akuzuari Igor Popoviq pohoi kur u pyet nga gjyqtari Kujtim Krasniqi nëse marrëveshja për pranim të fajësisë me Prokurorinë Speciale është bërë me vullnet dhe pa ndonjë kërcënim./kp