IFIMES: Shpend Ahmeti para Isa Mustafës

Instituti slloven IFIMES flet për një avantazh të Shpend Ahmetit ndaj Isa Mustafës në garën për Prishtinën. Sondazhet tregojnë se aktualisht Shpend Ahmeti ka 24.2 %, ndërsa Isa Mustafa 15.9 % të votave të prishtinasve.

Lajme

23/10/2013 21:57

Instituti slloven IFIMES ka publikuar një studim të titulluar “Zgjedhjet Lokale 2013 në Kosovë: Beteja Zgjedhore në Prishtinë”, në të cilin parashikon fitore të Kandidatit të Vetëvendosjes Shpend Ahmeti ndaj Kryetarit aktual të Prishtinës, Isa Mustafa, në raundin e parë, dhe paqartësi të rezultateve për raundin e dytë, për shkak të mundësisë së PDK t’i ftojë votuesit e vet ta mbështesin Isa Mustafën.

IFIMES, i cili është Institut për Studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit me seli në Lubjanë, në mënyrë të rregullt analizon zhvillimet brenda këtyre rajoneve.

“Beteja kryesore ndërmjet partive politike do të ndodhë në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë.  Në garën për të parin e Prishtinës do të jenë Kryetari aktual i Komunës, Isa Mustafa i LDK’së, dhe kandidai i Lëvizjes Vetëvendosje, Nënkryetari i kësaj partie, Shpend Ahmeti”, thotë IFIMES në këtë studim.

“Partia që udhëheq koalicionin qeveritar, PDK e Hashim Thaçit, ka kandiduar për kryetar të komunës së Prishtinës Agim Çekun, aktualisht Ministër e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ish Kryeminitër i Kosovës dhe ish Komandant i UÇK’së. Kandidatura e Agim Çekut është e befasishme jo vetëm për opinionin jashtë PDK’së, por edhe për strukturat e kësaj partie. Reagimet e opinionit ndaj kandidaturës së Agim Çekut u panë si dorëzim nga loja e PDK’së dhe liderit të saj Hashim Thaçi”.

“Por beteja kryesore në Prishtinë do të jetë ndërmjet kryetarit aktual të komunës Isa Mustafa, një teknokrat dhe profesor universiteti, i cili pretendon ta marrë mandatin e tretë, dhe Shpend Ahmetit nga Lëvizja Vetëvendosje, 35 vjeçari i diplomuar në Harward”.

“Nëse në vitin 2009, Isa Mustafa fitoi mandatin e dytë si kryetar komune qysh në raundin e parë të votimeve me mbi 51 përqind ët votave, në këto zgjedhje lokale kjo është e pamundur të përsëritet. Këtë e tregojnë sondazhet e bëra për këto zgjedhje lokale. Para fillimit të fushatës zgjedhore, sa i përket Prishtinës, sondazhi thoshte një garë të ngushtë ndërmjet LDK’së dhe Vetëvendosjes, pasi që LDK kishte 21 përqind të votave, ndërsa Vetëvendosje ishte e dyta me 19 përqind.”

“Dhjetë ditë pas fillimit të fushatës zgjedhore, anketat më të reja tregojnë për një përmbysje të jashtëzakonshme në të mirë të Vetëvendosjes. Anketa më e re tregon se Vetëvendosje ka 24.2 përqind të votave, ndërsa LDK ka 15.9 përqind.”

“Nëse ky trend mbahet gjatë fushatës, do të ishte e mundur që Shpend Ahmeti të fitonte raundin e parë të zgjedhjeve, por kjo nuk do t’i mjaftonte të zgjidhej kryetar i Prishtinës në raundin e parë. Në raundin e dytë ai do të përballej me Isa Mustafën, por gjithsesi me një përparësi psikologjike.”

“Në raundin e dytë, Isa Mustafa pritet ta marrë mbështetjen e PDK’së, si opozitë e pritshme, për shkak se Vetëvendosje është kritikuesja më e madhe e politikës së Hashim Thacit. A do të jetë kjo e mjaftueshme që Isa Mustafa ta fitojë mandatin e tretë, mbetet ende e paqartë”.

“Një pjesë e qytetarëve të Prishtinës mendon se Isa Mustafa, pavarësisht një numri të arriturash, ende nuk ka bërë mjaftueshëm për t’i zgjidhur problemet e shumta të qytetarëve, pasi që lagje të qytetit ende kanë probleme me furnizim me ujë e rrymë, ndërsa kaosi në komunikacion ende është i pranishëm në Prishtinë.”

“Pasigurinë e Isa Mustafës e tregon edhe fakti që pas një kohe të gjatë, në tubimet parazgjedhore të LDK’së ka filluar të paraqitet edhe ish Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, të cilin në vitin 2010 Isa Mustafa e trashëgoi në postin e kryetarit të partisë. Largimi i Sejdiut nga kreu i LDK’së nuk ka qenë aspak i mirëpritur nga ai pasi që mori “thikë në shpinë” nga vetë Isa Mustafa. Komunikimi i tyre ka qenë tërësisht i ndërprerë, ndërsa marrëdhëniet u ngrinë”, thotë IFIMES.

Edhe pse zgjedhjet e rregullta parlamentare pritet të mbahen në vjeshtë të vitit 2014, IFIMES vlerëson se humbja e PDK’së dhe LDK’së në Prishtinë do të ishte një goditje e rëndë për të dyja partitë dhe kjo do të hapte rrugën për zgjedhje të parakohshme parlamentare të cilat do të mund të mbaheshin në pranverë të vitit të ardhshëm, dhe kjo dotë ishte një mundësia që të ndryshojë fotografia politike në nivel të Kosovës.

IFIMES vlerëson se këto zgjedhje do të jenë të rëndësishme jo vetëm për zhvillimin lokal dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës por në të njëjtën kohë paraqesin luftë për udhëheqjen e komuniteteve lokale nga njerëzit e aftë për punë, të cilët mendojnë që qytetarëve të tyre t’u ofrojnë më të mirën e mundshme, ose do të udhëhiqen nga individët, qëllimet primare të të cilëve, tash e sa vjet, kanë qenë t’i kënaqin interesat dhe nevojat e tyre personale.