Identifikohen vrasësit e dyshuar të Elton Çiçës

17:33 | 24 Maj 2016

Të dyshuarit për vrasjen e Elton Çiçës

Jani Alia dhe Renato Milloshi, djali i ish-kryetarit të ndjerë të Partisë Komuniste, Hysni Milloshi, dyshohet të jenë autorët e vrasjes së Elton Çiçës rreth 3 javë më parë në një lokal pranë stadiumit “Selman Stërmasi”.

Gjykata vendosi masën e arrestit në mungesë, ndërsa është vënë një shpërblim prej 500 mijë lekësh për këdo që ka informacion për vendndodhjen e tyre. Policia publikoi fotot e të dyshuarve si vrasës, por nuk dha shpjegime se cilat ishin motivet e vrasjes.

Burime nga policia bëjnë me dije se pista kryesore është prishja e mundshme e pazareve të drogës. 36-vjeçari Renato Hysni Milloshi rezulton i dënuar për armëmbajtje pa leje si dhe ka qenë i skeduar për trafik droge, ashtu si dhe 39-vjeçari Jani Alia, i cili para pak kohësh i shpëtoi një atentati në Gjirokastër, pasi plumbat e zunë në dorë.

Ndërkohë, në lidhje me vrasjen e Elton Çiçës aktualisht në burg janë edhe polici Alban Trimi dhe mjeku Redjan Rraja, të cilët ishin në tavolinë në momentin e ngjarjes dhe akuzohen për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, pasi dyshohet se kanë fshehur pistoletën dhe celularët e viktimës.

Sipas policisë, Jani Alia dhe Renato Milloshi janë persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore.