Ibrahimovic me Brazilin
Ylli suedez, Zlatan Ibrahimovic, beson se Brazili do të triumfojë në Kampionatin botëror 2014, duke mposhtur në finale Italinë.
Sport
Sulmuesi i Paris Saint-Germain, Zlatan Ibrahimovic mendon se Brazili do ta fitojë trofeun e gjashtë në Kampionatin botëror, si nikoqir, këtë verë.
Ylli suedez përcolli humbjen e Anglisë nga Uruguai me rezultat 2:1 në Sao Paulo të enjten, i shoqëruar nga biri i tij dhe presidenti i PSG, Nasser Al-Khelaifi. Ibrahimovic – Suedia e së cilit dështoi të kualifikohej për në Brazil – po ashtu është në tribuna për ballafaqimin mes Zvicrës dhe Francës në Grupin E.
Sulmuesi e mbylli edicionin e kaluar në Francë si golashënuesi më i mirë në Ligue 1. Ai ka për bashkëlojtarë një numër të reprezentuesve brazilianë përfshirë kapitenin Thiago Silva.
Dhe, Ibrahimovic beson se Brazili do të triumfojë në fund. “E shoh Brazilin duke e fituar finalen kundër Italisë”, deklaroi Ibrahimovic për “BeIn Sport”.
“Për shokët e mi francezë, shpresoj që edhe ata të kalojnë një Kampionat botëror të mirë”, u shpreh ai.