“I kemi rikonfirmuar dhe betonuar të gjitha” – Osmani flet për rreth 20 ‘çnjohje’ të pretenduara nga Serbia për Kosovën
Presidentja Vjosa Osmani e ka vlerësuar si një arritje shumë të madhe gjatë mandatit të saj rikonfirmimin e njohjeve nga shtetet të cilat Serbia pretendonte se e kanë çnjohur Kosovën. “Kemi arritur që të rikthejmë rreth 20 çnjohje të pretenduara”- ka thënë Presidentja e vendit duke shtuar se e Drejta Ndërkombëtare megjithatë nuk flet për…
Lajme
Presidentja Vjosa Osmani e ka vlerësuar si një arritje shumë të madhe gjatë mandatit të saj rikonfirmimin e njohjeve nga shtetet të cilat Serbia pretendonte se e kanë çnjohur Kosovën.
“Kemi arritur që të rikthejmë rreth 20 çnjohje të pretenduara”- ka thënë Presidentja e vendit duke shtuar se e Drejta Ndërkombëtare megjithatë nuk flet për konceptin e çnjohjeve, por se deklarimet për tërheqjen e njohjeve i shkaktojnë dëm vendit.
Në një intervistë me Shkëlzen Gashin në emisionin Nerv, e para e vendit tha se është dashur punë e madhe nga institucioni i Presidencës, për të rikonfirmuar njohjet e këtyre 20 vendeve.
“Nëse një shtet thotë se ne ju çnjohim, neve na dëmton shumë. Edhe në imazh edhe në parandalimin e njohjeve të reja por edhe në anëtarësim në Organizata Ndërkombëtare.”- shtoi Presidentja Osmani.
Për pesë vjet mandat, ajo tha se janë marrë me të gjitha pretendimet për çnjohje të shtetësisë së Kosovës.
“I kemi rikonfirmuar dhe betonuar të gjitha”- ka thënë Osmani duke shtuar se shumë liderë janë ftuar në Kosovë dhe janë nënshkruar marrëdhënie diplomatike.
Presidentja ka thënë se Kosovës i është shkaktuar dëm nga pretendimet për çnjohje, por që me punë u pamundësua mbetja në stadin e mohimit të njohjes nga këto 20 shtete.
“Përveç me njërin – akoma nuk kemi përgjigje prej atij shteti”- tha Osmani duke mos e përmendur se cili shtet është ai.
Duke folur për katër njohjet që Kosova i ka marrë gjatë vitit 2025, ajo ka paralajmëruar edhe njohje të reja gjatë këtij viti.