I akuzuari për vrasjen në “Interex” thotë se ishte i rrezikuar, mohon ta ketë nxitur djalin për vrasje

Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Arsim Syla, i cili ngarkohet për vrasjen e V.B., në “Interex”, vazhdoi dhënien e mbrojtjes, ku deklaroi se ka qenë i rrezikuar. Në këtë rast, Arsim Syla akuzohet për vrasjen e V.B., më 2023 në “Interex” në Podujevë, në bashkëkryerje me djalin e…

Lajme

15/12/2025 17:47

Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Arsim Syla, i cili ngarkohet për vrasjen e V.B., në “Interex”, vazhdoi dhënien e mbrojtjes, ku deklaroi se ka qenë i rrezikuar.

Në këtë rast, Arsim Syla akuzohet për vrasjen e V.B., më 2023 në “Interex” në Podujevë, në bashkëkryerje me djalin e tij të mitur L.S.

I akuzuari Syla dhënien e mbrojtjes e kishte filluar në seancën e 17 nëntorit 2025. Mbrojtjen e lënë përgjysmë, i akuzuari e vazhdoi duke deklaruar se ai nuk ishte në dijeni se aty gjendej viktima V.B., dhe se sa i përket atij, tani i ndjeri do të jetonte.

Gjithashtu, i akuzuari mohoi ta ketë nxitur djalin e tij të kryejë vrasjen, duke thënë se atë e ka rritur me këshilla e edukatë. Tha se po ta dinte, do ta parandalonte.

“I nderuar trup gjykues, nuk ekziston prind në këtë botë që lejon fëmijën e tij të takohet e ballafaqohet me kriminel, siç ishte i ndjeri me grupin e tij. Po ta dija apo kuptoja, me çdo kusht apo çmim do e parandaloja. Ata plumba pa më goditur mua, nuk do e godisnin as V., sepse sa i përket meje, V.B, do të jetonte edhe 100 vjet tjera i lumtur bashkë me familjen tij”, ka thënë Syla.

Syla deklaroi se ishte i rrezikuar dhe se ai personalisht nuk guxonte të dilte si pasojë e rrezikut. Sipas tij, faktin që ishte i rrezikuar e vlerësuan edhe hetuesit.

“Kemi qenë të obliguar sa herë të dalim nga shtëpia të lajmërojmë targat e veturës me çfarë veture jemi, kah po shkojmë. Kohën e fundit unë personalisht, ata kanë cilësu se kam qenë aq i rrezikuar sa që më kanë thënë që ty nuk guxojmë me të leju me dalë sepse je shumë i rrezikuar”, tha Syla.

Ndërsa, i pyetur nëse kishte ndonjë komunikim më viktimën V.B., i akuzuari e mohoi këtë.

“S’kam pas komunikim më të, s’kam pasë asnjë kontakt me të”, tha Syla.

Në fund, seanca u ndërpre për shkak të përfundimit të orarit të punës së Gjykatës, ndërsa e radhës u caktua për një datë tjetër.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 18 mars 2024, kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Arsim Syla, pasi që i njëjti me qëllim të hakmarrjes, për shkak të një konflikti që kishte pasur më herët, gjatë vitit 2022, me tani të ndjerin V.B dhe Sh.R, i pandehuri kishte porositur djalin e tij të mitur L.S, që ta privojë nga jeta tani të ndjerin V.B.

Tutje, në aktin akuzues thuhet se më 11 shtator 2023 i pandehuri Syla me djalin e tij të mitur L.S, kishin shkuar në kafiterinë e marketit ‘Interex’ në Podujevë, ku rreth orës 12:19, kishin vërejtur tani të ndjerin V.B, duke hyrë në market bashkë me bashkëshorten e tij, të dëmtuarën L.S dhe fëmijën e tyre 4 vjeçar.

Sipas aktakuzës i pandehuri Syla me djalin e tij L.S, dalin nga restauranti, ku Syla e orienton të miturin L.S në drejtim të të ndjerit V.B, i cili vihet në ndjekje të tij, ndërsa i pandehuri Syla vazhdon për të dalë nga objekti dhe në momentin kur i ndjeri V.B bashkë me bashkëshorten e tij L.S dhe fëmijën e tij arrijnë tek sektori i produkteve të qumështit, i mituri L.S i afrohet nga mbrapa dhe fillimisht shtie dy herë në drejtim të të ndjerit V.B.

Aty thuhet se i njëjti duke e qëlluar në shpinë dhe qafë, njëra nga predhat e tejshkon trupin e tani të ndjerit V.B dhe e qëllon edhe të dëmtuaren bashkëshorten e tij, L.S, e cila fillimisht kishte filluar të ikë në momentin kur kishte dëgjuar krismën, ndërsa i mituri L.S nga çanta kishte nxjerrë revolen tjetër me të cilën qëllon edhe katër herë në kokën e tani të ndjerit V.B, i cili tanimë ishte i shtrirë në tokë.

Si pasojë e këtyre të shtënave nga arma i zjarrit, V.B, vdes në vendin e ngjarjes ndërsa e dëmtuara L.S, dërgohet në QKUK nga plagët e rënda që ka pësuar menjëherë pas të shtënave.

Kurse, i mituri L.S., me shpejtësi kishte dalur nga ‘Interex’ duke u larguar në këmbë në drejtim të panjohur, kurse i pandehuri Syla ishte ofruar tek vetura e tipit ‘Mercedes E200’, të cilën e kishte parkuar përballë ‘Interex’ dhe kishte shkuar në shtëpinë e tij në fshatin Gllamnik në Podujevë, ku edhe ishte arrestuar nga Policia e Kosovës.

Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, ishin gjetur dhe sekuestruar, një pistoletë dhe një pushkë gjuetie me dylbi me leje për mbajtje, me 62 fishekë të pistoletës si dhe 20 fishekë të pushkës së gjuetisë dhe 2 antiplumba.

Me këtë i pandehuri Arsim Syla ngarkohet se në bashkëkryerje me të miturin L.S, kishte kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”./BetimipërDrejtësi