Hoxhaj përcjell një Ambasador shqiptar, pret tjetrin
Ministri Enver Hoxhaj është përshëndetur sot me Ambasadorin shqiptar Islam Lauka ndërsa ka pritur, në takim tjetër, trashëgimtarin e tij Qemal Minxhozi. Marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri u vlerëzuan të shkëlqyeshme në rrafshin diplomatik e politik.
Lajme
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur sot në takim lamtumirës Ambasadorin e deritashëm të Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj vlerësoi lartë kontributin e ambasadorit Lauka gjatë misionit në Kosovë.
Hoxhaj tha se Ambasadori Lauka ka qenë një mbështetës i madh i Kosovës, duke e falënderuar për angazhimin dhe për mbështetjen që i ka dhanë Kosovës për më shumë se 30 vjet të karrierës së tij diplomatike, përfshirë edhe mbështetjen e dhënë viteve të fundit, në shtetndërtimin dhe konsolidimin e Kosovës.
“Marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera në rrafshin diplomatik dhe politik. Ambasadori Lauka gjatë këtyre viteve, këtyre marrëdhënieve iu ka dhënë përmbajtje iu ka dhënë prioritete të qarta dhe në emër të Qeverisë dhe të qytetarëve e falënderova për këtë mbështetje të madhe që i ka dhënë Kosovës”, ka thënë ministri Hoxhaj.
Ambasadori i deritashëm i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, ka shprehur mirënjohje për institucionet dhe për gjithë popullin e Kosovës për pritjen që i kanë bërë gjatë misionit në Kosovë.
“Dua ta falënderoj Ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pas në këto vite, të cilat kanë qenë vite shumë intensive dhe shumë dinamike”, tha ambasadori Lauka.
Ndërkaq, pas dite, ministri Enver Hoxhaj, priti në takim ambasadorin e ri të Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi, i cili i dorëzoi kopjet e letrave kredenciale.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj i ka uruar sukses në misionin e tij në Kosovë ambasadorit Minxhozi si dhe ka shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve të gjithanshme me Shqipërinë.