Laporta: Real Madridi ka humbur besueshmërinë
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka kritikuar ashpër rivalin, Real Madridin, duke thënë se marrëdhëniet mes dy klubeve praktikisht kanë përfunduar dhe se madrilenët po paguajnë për zgjedhjet e tyre sportive dhe institucionale. Në një intervistë për gazetën franceze “L’Equipe”, Laporta pretendoi se Real Madridi ka humbur kredibilitetin dhe se investimet e mëdha në futbollistë…
Sport
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka kritikuar ashpër rivalin, Real Madridin, duke thënë se marrëdhëniet mes dy klubeve praktikisht kanë përfunduar dhe se madrilenët po paguajnë për zgjedhjet e tyre sportive dhe institucionale.
Në një intervistë për gazetën franceze “L’Equipe”, Laporta pretendoi se Real Madridi ka humbur kredibilitetin dhe se investimet e mëdha në futbollistë të njohur nuk kanë sjellë rezultatet e pritura.
“Jo, mes nesh nuk ka më marrëdhënie. Madje, do të shkoja edhe më tej dhe do të thosha se kjo është shndërruar në një përballje mes nesh. Real Madridi ka humbur kredibilitetin, si në aspektin institucional, ashtu edhe në atë sportiv. Ata zgjodhën rrugën e gabuar dhe tani po paguajnë çmimin”, deklaroi Laporta.
Kreu i klubit katalunas akuzoi gjithashtu madrilenët se po përpiqen t’i arsyetojnë dështimet e tyre përmes çështjes Negreira, që lidhet me pagesat e Barcelonës ndaj kompanive të lidhura me ish-zyrtarin e arbitrimit, Jose Maria Enriquez Negreira.
“Ata po përpiqen me çdo mënyrë t’i arsyetojnë dështimet e tyre duke gënjyer për çështjen Negreira, sepse nuk kanë fituar asgjë për dy vjet. Ne po fitojmë dhe jemi kandidatë për t’i fituar të gjithë trofetë”, u shpreh presidenti i Barcelonës.
Laporta u ndal edhe te transferimi i Kylian Mbappes te Real Madridi, duke rikujtuar paralajmërimin e tij se grumbullimi i shumë yjeve mund të krijojë probleme brenda dhomës së zhveshjes.
“Prioriteti në futboll duhet të jetë ekipi dhe fryma e grupit. Pa këto elemente, projekti nuk do të ketë sukses”, theksoi ai.
Në anën tjetër, Laporta vlerësoi punën e trajnerit Hansi Flick dhe drejtorit sportiv Deco, duke thënë se Barcelona ka arritur të ndërtojë një skuadër ku talentet e akademisë La Masia dhe futbollistët e ardhur nga kultura të ndryshme futbollistike punojnë në harmoni.