Hoxhaj: PDK në 2014 e denoncoi Rrahim Hashimin në polici, pasi kishte përdorur emrin e Xhavit Halitit

Është publikuar një video-incizim ku persona të dyshuar për fajde dhe krime të tjera të rënda përmendin edhe emrin e kryeparlamentarit të Kosovës dhe liderit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Lajme

23/05/2019 16:26

Zëvendërskryetari i Partisë Demokratike, Enver Hoxhaj ka mbajtur sot konferencë për media në emër të PDK-së, në lidhje me rastin e video së disa personave. Theksoi se PDK-ja e kishte denoncuar këtë rast criminal në vitin 2014, por hetimet nuk vazhduan deri në fund.

“Rrahim Hashimi, personi kyq në këtë grup kriminal është denoncuar në vitin 2014 nga nënkryetari i PDK-së dhe Kuvendit pasi që ia kishte përdorur emrin, njësoj sic tani ndodhi me KV. Tani pyetja është pse nuk u hetua ky rast deri në fund. Rasti për të cilin ka qenë subjekt kjo video është mbyllur pa përfunduar hetimet dhe pa u vënë para përgjegjësisë penale akterët e këtij krimi të organizuar”, ka deklaruar Hoxhaj në konferencë.

Hoxhaj ka theksuar ky rast nuk mund ta ndalë agjendën shtetformuese të PDK-së.

“Kjo nuk ka ndodhur për shkak të mungesës së provave dhe as të mungesës së resurseve, por është penguar qëllimshëm nga ana e akterëve të caktuar. Për këtë arsye sot kërkoj sqarim të këtij rasti deri në fund. Asnjë përpjekje e grupeve kriminale për ta njollosur figurën e kryetarit të PDK-së nuk na ndalë në agjendën tonë shtetndërtuese”, përfundoi ai.

Ndërsa sot, vet kryeparlamentari Veseli në një konferencë të jashtëzakonshme për media është shprehur se nuk ka të bëjë asgjë me këtë video-incizim të publikuar.

Ai ka kërkuar hetim të plotë dhe epilog të plotë të kësaj çështje, duke u zotuar se nëse vërtetohet se ka pasur qoftë më të voglin indikacion në këtë rast, ai do të japë dorëheqje. /Lajmi.net/