Hoxhaj: Numri i deputetëve që e votojnë demarkacionin është rritur

Për Qeverinë e Kosovës, ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi është prioriteti kryesor për vitin 2018, në mënyrë që qytetarëve të Kosovës tu hiqet regjimi i vizave.

Lajme

05/01/2018 12:53

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se kjo çështje do të diskutohet në Kuvend në javët e fundit të muajit janar.

Hoxhaj në një intervistë për lajmi.net ka thënë se për këtë temë tashmë ka një situatë të re, ku numri i deputete në favor të kësaj marrëveshje, sipas tij është rritur.

Ish-ministri i Jashtëm në prag të shënimit të 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka thënë se që nga ajo kohë, vendi ka arritur suksese të prekshme.

Hoxhaj në këtë intervistë flet edhe për transformimin e FSK-së, dialogun me Serbinë e agjendën evropiane.

Lajmi.net: z. Hoxhaj si e vlerësoni vitin 2017 për Kosovën në aspektin e zhvillimeve të përgjithshme?

Enver Hoxhaj: Duke qenë se kemi pasur dy palë zgjedhje, ka qenë një vit i riorganizimit politike, por edhe i ngadalshëm në aspektin e zhvillimeve dhe ecjes përpara në disa procese shtet-formuese. Megjithatë, Kosova ka arritur të përmbushë obligime të rëndësishme të cilat i kanë sjellë edhe shpërblime përmes nënshkrimit të marrëveshjeve të ndryshme ndërkombëtare. Dua të filloj nga marrëveshja e fundit për energji, e nënshkruar me kompaninë amerikane Contour Global, e cila është ndër marrëveshjet më të rëndësishme që i siguron Kosovës pavarësi energjetike, por edhe një balancë energjetik në rajon, ku deri më tani Serbia ka pasur dominim në tregun rajonal.

Ky po ashtu është lajm i mirë për nxitjen e investitorëve tjerë në Kosovë, si parakusht për ritje të punësimit dhe zhvillimit të ekonomisë sonë. Për më shumë, është nënshkruar marrëveshja me Sfidat e Mijëvjeçarit në vlerë prej rreth 50 milionë dollarësh, që do të jetë një infuzion për ekonominë e vendit tonë. Kemi pasur anëtarësime në organizata ndërkombëtare, ku dua ta përmend anëtarësimin më të rëndësishëm këtë vit, në Organizatën Botërore të Doganave, e cila është përcjellë me një luftë diplomatike me Serbinë dhe Rusinë, por megjithatë ia kemi dalë ta dëshmojmë të drejtën tonë për të qenë anëtar me të drejta të plota.

Kosova gjatë vitit 2017 është njohur nga Bangladeshi dhe Madagaskari, ndërsa priten njohje të tjera vitin që vjen. Kemi nënshkruar marrëveshje të shumta sa i përket bashkëpunimit ekonomik me vende nga rajoni, Evropa dhe më gjerë. Në anën tjetër, nuk duhet lënë anash se si kemi shmangur marrëveshje rajonale të dëmshme për vendin tonë. Njëra ndër to, konkretisht, është Unioni Doganor, i cili ka qenë ide fillestare e presidentit serb, Aleksandër Vuciq në mënyrë që të sigurojë dominimin ekonomik serb në rajon. Po ashtu, viti 2017 është karakterizuar edhe me të arritura të tjera që nga pamja e jashtme ndoshta mund të duken simbolike, por janë pjesë që përmbushin një punë më të madhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë.

Lajmi.net: Ky vit ka qenë vit zgjedhor, sa ka ndikuar kjo në përmbushjen e obligimeve tjera të shtetit të Kosovës?

Enver Hoxhaj: Ka qenë një vit mjaft i lodhshëm jo vetëm për ne politikanët që kemi qenë në garë fillimisht për zgjedhjet nacionale, dhe pastaj në fushatë për t’i mbështetur kandidatët tanë në zgjedhjet lokale, por më së shumti për qytetarët të cilët është dashur që brenda një kohe të shkurtër të dalin dhe të votojnë dy herë e më shumë. Me këtë rast dua t’i falënderoj për gatishmërinë dhe përgjegjësinë e treguar gjatë këtyre proceseve zgjedhore, duke qenë shembull për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike për të gjitha shtetet e rajonit. Kalimi nëpër dy procese zgjedhore dhe procesi i formimit të institucioneve natyrisht që ka pasur ndikim që shumë procese të rëndësishme të ngadalësohen dhe të mos lëvizet me shpejtësinë e duhur. Por, kam besim që me vullnetin dhe gatishmërinë që ka treguar kjo qeveri gjatë 100 ditëshit të parë, mund të them se në vitin 2018 do të lëvizim me një shpejtësi të re.

Lajmi.net: Pas pak muajsh Kosova feston 10 vjetorin e shtetësisë. Si e vlerësoni “rritjen” e Kosovës për këto vite?

Enver Hoxhaj: Nëse kthehemi prapa dhe e mendojmë se si kemi qenë vetëm para dhjetë vitesh, ndonjëherë mund të duket e pabesueshme se ku kemi arritur sot. Ne kemi ndërtuar shtetin që nga themeli, kur skemi pasur asgjë në duar përveç shpresës për të jetuar në një shtet të pavarur. Natyrisht, që një gjë e tillë nuk do të kishte qenë e mundur pa ndihmën e madhe të miqve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastaj Bashkimi Evropian dhe shtete të tjera që e kanë mbështetur Kosovën dhe kanë besuar në kauzën tonë për liri dhe pavarësi. Për këtë u jemi mirënjohës sot dhe gjithmonë. Natyrisht se në një proces të tillë mund të ndodhin gabime, mund të ndodhin ngecje gjatë rrugës, por është shumë i rëndësishëm vullneti dhe gatishmëria për të ecur përpara në rrugën tonë shtet-ndërtuese dhe në vizionin tonë për t’u integruar në komunitetin euro-atlantik. Dhjetë vite pas shpalljes së pavarësisë, Kosova është shtet sovran, i konsoliduar dhe me qëndrim të qartë për të ardhmen e shtetit dhe qytetarëve të saj. Ndërkaq, ajo që u mbetet institucioneve është që të angazhohen sa më shumë që ta shohim Kosovën në vendin e merituar, të barabartë me shtetet e tjera të Bashkimit Evropian, si dhe qytetarët tanë të gëzojnë një mirëqenie dhe stabilitet në shtetin e tyre të pavarur. Por, mbetet ende punë për t’u bërë në politikë të jashtme sa i përket njohjeve diplomatike dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, që janë segmente të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës.

Lajmi.net: Cilat janë prioritet e Qeverisë së Kosovës për vitin 2018?

Enver Hoxhaj: Programi i Qeverisë 2017-2021 është program që reflekton nevojat e qytetarëve të Kosovës dhe që synon të shtyjë përpara zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien shëndetësore, arsimore dhe publike të qytetarëve, përmirësimin e sundimit të ligjit, avancimin e agjendës euroatlantike, si dhe forcimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal. Siç e kemi thënë edhe në fillim të këtij mandati, viti 2018 pritet të sjell shpejtësi dhe dinamikë të re në zhvillimet politike në Kosovë. Kemi disa tema të mëdha përpara vetes, të cilat duhet të shtyhen përpara dhe të krijohet konsensus më i gjërë politik në mënyrë që të shënojmë progress. Patjetër që prioritet mbi prioritete është Ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi në funksion të liberalizimit të vizave, në anën tjetër kemi Agjendën e Reformave Evropiane, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, përmbylljen e dialogut me Serbinë, si dhe transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Të gjitha këto, në funksion të përmbylljes së shtet-ndërtimit të Kosovës, dhe hapjes së një faze të re të shtetësisë që vendi të ecë përpara.

Lajmi.net: Cili është plani për hapjen e vendeve të reja të punës?

Enver Hoxhaj: Hapja e vendeve të reja të punës është prioritet i Qeverisë së Kosovës, dhe tashmë veçse janë bërë hapat e parë që çojnë në zhvillimin ekonomik dhe punësimin e qytetarëve tanë. Nënshkrimi i kontratës me një kompani amerikane që do të investoj në sektorin e energjetikës, i cili është investimi më i madh që do të ketë Kosova, mbase edhe në vitet e ardhshme. Një investim ku do të hap vende të reja pune dhe do të krijoj një pavarësi energjetike për Kosovën dhe rajonin. Një e arritur tjetër e dukshme është nënshkrimi i marrëveshjes për Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) të mbi 50 milionë euro investimeve amerikane për sektorë të ndryshëm në Kosovë, që ndikojnë drejt për së drejti në rritjen e numrit të të punësuarve. Po ashtu, Qeveria e Kosovës, javë më parë ka marrë dy vendime, njëri që e liron prodhuesin nga tatimi i akcizës për lëndën e parë që e përdor si burim energjie për prodhim dhe vendimi tjetër që e liron prodhuesin nga tatimi në doganë për lëndën e parë, gjysmë produkte që përdoren në proces të prodhimit, materiale përpunuese, makineritë prodhuese dhe pajisjet e teknologjisë së informacionit. Këto dy vendime, ndikojnë drejt për së drejti në fuqizimin e bizneseve private, sidomos atyre prodhuese dhe rrjedhimisht në hapjen e vendeve të reja të punës. Qëllimi ynë si qeveri është që ta mbështesim sa më shumë sektorin privat, bizneset e vogla dhe të mesme të cilat jo vetëm që do të ndikojnë në rritjen e punësimit por edhe do të bëjnë që të zhvillohet ndërmarrësia, dhe njëherazi qytetarët të mos kenë gjithmonë pritje nga sektori publik i cili është mjaft i kufizuar.

Lajmi.net: Ky vit cilësohet vit i pritjeve të mëdha, ku pritet të ndodh liberalizimi i vizave dhe formimi i Ushtrisë. A pritet që gjatë këtij viti të përfundojnë këto procese aq të pritura për qytetarët?

Enver Hoxhaj: Besoj që duke filluar nga muaji janar do të kemi një dinamikë të re sa i përket demarkacionit dhe presim që në javën e tretë apo të katërt të diskutohet për këtë temë në një nga seancat e Kuvendit të Kosovës. Në pikëpamjen tonë duhet të krijohet një konsensus dhe një momentum i ri i cili do t’ia mundësoj çdo deputeti që të votoj pro kësaj marrëveshje. Bilanci i suksesit të çdo qeverie, por edhe kësaj qeverie, matet edhe me tema të cilat janë të karakterit nacional. Sa i përket demarkacionit si çështje nacionale, duhet të gjemë një mirëkuptim dhe konsensus përtej dallimeve që kemi si parti politike. Por është koha e fundit që të gjitha subjektet politike, që janë në qeveri e opozitë që ta votojnë marrëveshjen dhe të shkojmë përpara duke liberalizuar vizat për qytetarët. Tani kemi një situatë të re relativisht të mirë ku numri i deputetëve në favor atyre që e votojnë demarkacionin është rritur, si dhe në opinionin publik nuk ka një situatë që ka pasur para dy viteve ku ka pasur protesta e gaz në Kuvend. Edhe komisioni i ri ka treguar se nuk ka ndonjë fakt apo situatë të re. Ajo çfarë duhet është që paritë politike dhe liderët ta gjejnë një konsensus dhe rrugë për të lëvizur përpara. Kjo nuk nënkupton që çdo parti ta mbështesë demarkacionin por nënkupton si ti sigurojmë 80 vota par ta aprovuar këtë marrëveshje ndërkombëtare. Sikurse në qeveri kemi gjetur pika të përbashkëta që ta kalojmë projektligjin dhe raportin, besoj se edhe kuvendi mund të gjejë formulime gjuhësore dhe modalitete për ta votuar Demarkacionin.

E kam përcjell për vite të tëra procesin e demarkacionit dhe sikurse e kam deklaruar shumë herë, unë besoj se duhet votuar dhe askush nuk duhet të ketë frikë se po humbasim territor. Prandaj, presim që në janar të krijohet në situatë e re dhe ta zgjidhim këtë çështje. Nëse kjo nuk ndodhë, atëherë kam frikë se do ta humbim shansin edhe për vitin 2018, edhe për vitin 2019. Prandaj, është momenti i duhur që liderët e partive politike, jo vetëm për demarkacionin por edhe për tema të tjera nacionale të gjejnë një konsensus. Pra ta gjejmë një qasje të përbashkët edhe për dialogun, edhe për ushtrinë, edhe për reformën e agjendës evropiane. Kushdo që është në pushtet apo në opozitë do ti ketë këto tema në tavolinë. Është koha e fundit të mos blihet kohë por të veprohet me pjekuri e përgjegjësi politike.  Nëse ka vullnet politik, ka rrugë. Në programin e Qeverisë, i kemi kushtuar rëndësi të veçantë procesit të transformimi të FSK-së në ushtri, gjë që duam të shkojë përmes rrugëve kushtetuese dhe dialogut të brendshëm, por pa vonesë. Në rrethanat që ndodhet Kosova, është shumë e nevojshme që të kemi konsensus mbarë-partiak për këtë proces. Rajoni është duke u ekspozuar nga shumë pasiguri dhe FSK-ja është një nga fushat që duam të dëshmojmë se jemi vend përgjegjës dhe eksportues të sigurisë.

Lajmi.net: Një çështje tjetër me rendësi është edhe faza e re dialogut me Serbinë. Çfarë prisni nga këto bisedime?

Enver Hoxhaj: Dialogu me Serbinë, duhet të hyjë në fazën përmbyllëse. Mendimi im është që kjo fazë e re duhet të kornizohet me qëllime konkrete dhe me hapësirë kohore të caktuar për të dyja palët. Se çfarë presim nga këto bisedime, është tashmë publike. Kosova në përfundim të këtij dialogu duhet ta ketë ulësen e saj si anëtar me të drejta të plota i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në anën tjetër, sa i përket marrëdhënieve bilaterale me Serbinë, unë qëndroj prapa asaj që nuk duhet të pranohet asgjë më pak sesa njohje e ndërsjellët mes të dyja vendeve e cila mund të bëhet në forma të ndryshme. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me një dëshirë të palës kosovare, por më shumë ka të bëjë me paqen dhe stabilitetin në rajon, dhe mbi të gjitha me integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Tashmë disa herë është bërë e qartë edhe nga zyrtarë të lartë të BE-së, se BE-ja nuk do të pranojë anëtarë të rinj që kanë probleme të hapura ndër-shtetërore, prandaj sa më parë që të zgjidhet kjo çështje, aq më në favor do të jetë për të dyja palët. Të mos harrojmë, e ardhmja e vendit tonë në OKB varet nga karakteri i politikës sonë të jashtme. Nëse duam të jemi anëtar i OKB-së duhet të jemi vend paqe-dashës, që në esencë do të thotë t’i zgjidhim mosmarrëveshjet përmes dialogut paqësor. Dialogu me Serbinë është mundësia më e mirë për të shfaqur karakterin paqe-dashës të shtetit të Kosovës.

Lajmi.net: A shihni vullnet nga Serbia që ky proces të përfundojë me një marrëveshje me njohje reciproke, duke pas parasysh lobim që ka bërë ky shtet për heqjen e njohjeve të Kosovës në disa shtete?

Enver Hoxhaj: Deri më tash Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur e kanë njohur zyrtarisht 115 shtete të botës. Po ashtu, Kosova është e anëtarësuar në 67 organizata të ndryshme evropiane dhe botërore. Kjo tregon që integrimi i Kosovës në sistemin ndërkombëtar është proces i pandalshëm dhe një fakt gjeopolitik i mbyllur. Ky fakt është i qartë kudo në Evropë, në përjashtim të Serbisë e cila bën fushatë të vazhdueshme me lajme të rrejshme dhe fushata pa ndonjë efekt. Fushata agresive që po e bën Serbia kundër njohjeve të Kosovës është në fakt duke e zbuluar karakterin e vërtetë të saj në raport me Perëndimin dhe është duke dëshmuar se është burim i jo-stabilitetit, që ndjek një politikë të jashtme destruktive në raport me një fqinj si Kosova. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë dialogun me Serbinë, por mendojmë se Serbia duhet të demonstrojë gatishmëri dhe sinqeritet për të ecur procesi përpara. Ndërsa sa i përket asaj se si do të përfundojë dialogu, varet shumë edhe nga trajtimi që Bashkimi Evropian do t’u bëjë të dyja vendeve dhe garancioni nga ana e këtij institucioni për një përmbyllje të pranueshme që u mundëson të dy shteteve të ecin përpara./Lajmi.net/