Hoxhaj: MSA është ngjarja më e rëndësishme për Kosovën

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, deklaroi se këtë javë do të përmbyllen negociatat për nënshkrimin e MSA-së me BE-në. Ai tha se anëtarësimi i Kosovës në OKB, do të mund të ndodhë në pesë vjetët të ardhshme.

Lajme

29/04/2014 17:53

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se kjo jave është shumë e rëndësishme për të ardhmen europiane të Kosovës pasi përmbyllen negociatat për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në.

Ditë më par, Ministria e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, ka thënë për lajmi.net se negociatat për MSA-në do të përfundojnë me 2 maj.

Ndërkaq, Hoxhaj gjatë një ligjëratë para studentëve në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ka thënë se përfundimi i negociatave për MSA-në, është ngjarja më e rëndësishme për Kosovën.

“Jo rastësisht jam në Fakultetin Filozofik, pasi që kur jemi te integrimi europian i Kosovës, kjo javë është me të vërtetë europiane pasi që pritet të përfundojnë negociatat për nënshkrimin e MSA-së dhe është ngjarja më e rëndësishme për Kosovën”.

“Asnjëherë relacionin tonë me BE-në nuk e kemi konsideruar në rrafshin Prishtinë-Bruksel, por në dy dimensione: I pari ka të bëjë me komunikimin me të gjitha institucionet e BE-së dhe së dyti, bashkëpunimi me institucionet tjera europiane duke kërkuar mbështetje të hapur për zhvillimet në Kosovë”, tha  Hoxhaj.

Hoxhaj tha se Politika e Jashtme e Kosovës ka qenë ndër prioritetet kryesore të Qeverisë.

“Që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, prej vitit 2008 e deri më tash, politikën e jashtme të Kosovës e kemi pasur njërën ndër prioritetet kyçe si Qeveri. Kemi synuar që Kosova të njihet prej sa më shumë vendeve, të anëtarësohet në organizata rajonale dhe ndërkombëtare, integrimin e Kosovës në BE e NATO dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve jashtë”, tha Hoxhaj.

Shefi i diploimacisë kosovare vlerësoi se ndërsa sfidat kryesore për Kosovën, dhe që e ka shoqëruar atë prej vitit 2008, është anëtarësimi në OKB. Por, sipas tij, në pesë vjetët e ardhshëm procesi mund të zhbllokohet dhe Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë.