Hoxhaj kërkon njohje nga Togo

Enver Hoxhaj është duke marr pjesë në Sesionin e 41- të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik. Ai në këtë konferënë ka kërkuar njohje nga disa shtete të kontinentit afrikan.

Lajme

18/06/2014 18:43

Ministri i Jashtëm në detyrë, Enver Hoxhaj, ka shfrytëzuar Sesionin Sesionin e 41- të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, për të kërkuar njohjen nga disa shtete të Afrikës.

Hoxhaj ia ka përsëritur kërkesën për njohje ministrit të Jashtëm të Togos, Robert Dussey vetëm pak muaj pas vizitës që kishte në Togo, ndërsa të njëjtën gjë e ka bërë edhe me homologun e tij nga Kameruni dhe Mali, thuhet në një komunikatë të MPJ-së.

Pas takimeve, Hoxhaj ka shprehur bindjen se procesi i njohjeve është i pandalshëm dhe se lajme të mira do të vijnë shumë shpejt.

“Sot, kam marrë pjesë në sesionin e Ministrave të Jashtëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, ku kam takuar shumë ministra të vendeve të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Mund të konfirmoj që procesi i njohjes do të jetë i pandalshëm dhe që do të ketë lajme të mira sa i takon njohjes së Republikës së Kosovës”, ka thënë ministri Enver Hoxhaj. 

“Në margjina të konferencës, kryediplomati kosovar ka zhvilluar një sërë takimesh edhe me ministra të jashtëm të vendeve që e kanë njohur Kosovën, me qëllim të lëvizjes së raporteve përtej marrëdhënieve diplomatike dhe forcim të bashkëpunimit në fushat e ekonomisë, tregtisë, kulturës e arsimit”, thuhet nw komunikatën e MPJ-sw.

“Në takimet me ministrat e Pakistanit, Senegalit, Gambisë, Omanit e Jemenit, ministri Hoxhaj pos që i ka falënderuar për përkrahjen e Kosovës, u ka kërkuar që të lobojnë edhe më shumë tek vendet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik”.

“Po ashtu, është folur edhe për aplikimin dhe anëtarësimin e Kosovës në disa organizata ndërkombëtare ku të gjitha këto vende kanë premtuar votat e tyre dhe lobim për Kosovën”.

“Ministri Enver Hoxhaj në këtë konferencë pritet të mbajë një fjalim për raportet e Kosovës me vendet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, procesin e njohjeve dhe do të ketë takime me sekretarin e përgjithshëm, Madani dhe personalitet tjera të larta”.