Hoxha kërkon avancimin e anëtarësimit të Kosovës në Kartën e Adriatikut: Ka mbetur pezull për shumë gjatë

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka kërkuar avancimin e çështjes së anëtarësimit të Kosovës në Kartën e Adriatikut (A5). Hoxha, përmes një postimi në platformën X, ka thënë se kërkesa e Kosovës për anëtarësim “ka mbetur pezull për shumë gjatë”. “Anëtarësimi i Kosovës ka mbetur pezull për shumë gjatë. Avancimi i kësaj çështjeje…

Lajme

23/09/2026 15:42

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka kërkuar avancimin e çështjes së anëtarësimit të Kosovës në Kartën e Adriatikut (A5).

Hoxha, përmes një postimi në platformën X, ka thënë se kërkesa e Kosovës për anëtarësim “ka mbetur pezull për shumë gjatë”.

“Anëtarësimi i Kosovës ka mbetur pezull për shumë gjatë. Avancimi i kësaj çështjeje do të forconte kohezionin rajonal dhe do të rriste kapacitetin tonë kolektiv për t’u përballur me sfidat e përbashkëta të sigurisë”, ka shkruar Hoxha.

Ai e ka bërë këtë deklaratë pas takimit të ministrave të Jashtëm të Kartës së Adriatikut, të organizuar në Nju-Jork nën kryesimin e Kroacisë.

Hoxha ka theksuar se më shumë se dy dekada pas krijimit, Karta e Adriatikut mbetet një shtyllë e rëndësishme e sigurisë rajonale dhe bashkëpunimit euroatlantik.

Sipas tij, siguria sot shtrihet përtej kërcënimeve konvencionale dhe përfshin sfida si kërcënimet kibernetike, sigurinë energjetike dhe manipulimin dhe ndërhyrjen e huaj në informacion (FIMI).

“Për t’u përballur me sfidat e sotme, nga kërcënimet kibernetike dhe siguria energjetike te manipulimi dhe ndërhyrja e huaj në informacion (FIMI), duhet të vazhdojmë të forcojmë rëndësinë dhe efektivitetin e Kartës, ashtu siç duhet të thellojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin rajonal në tërësi”, ka shkruar ai.

Ministri shqiptar ka theksuar se siguria në Ballkanin Perëndimor kërkon më shumë sesa vetëm qëndrueshmëri, duke nënvizuar rëndësinë e përfshirjes së të gjitha vendeve dhe shoqërive të rajonit në kuadrot e bashkëpunimit, sigurisë dhe përgjegjësisë së përbashkët.

“Sipas tij, një A5 e hapur, e përshtatshme ndaj ndryshimeve, më e fortë dhe më gjithëpërfshirëse nënkupton një Ballkan Perëndimor më të sigurt dhe mbetet thelbësore për të ardhmen tonë të përbashkët euroatlantike”, thuhet në postimin e tij.

📍 New York — More than two decades after its creation, the #AdriaticCharter remains a valuable pillar of regional security and Euro-Atlantic cooperation.

At the meeting of the Foreign Ministers of the #AdriaticCharter, organized today under the chairmanship of #Croatia, I… pic.twitter.com/yw7gqobFhk

— Ferit Hoxha🇦🇱 (@HoxhaFer) September 23, 2026