Hoxha: Epopeja e UÇK-së shënoi ngjarjen më madhore të historisë tonë të re

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se Epopeja e UÇK-së dhe sakrifica e familjes Jashari, shënojnë ngjarjen më madhore të historisë së Kosovës.

Lajme

05/03/2019 12:03

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha me rastin e shënimit të 21-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, ka thënë se kjo Epope dhe sakrifica e Adem Jasharit dhe familjes Jashari, shënojnë ngjarjen më madhore të historisë së Kosovës, shkruan lajmi.net.

Përmes një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, Hoxha ka shkruar po ashtu se, 5, 6 dhe 7 Marsi ishin ditë që do të shënonin sakrificën e pashembullt nga Familja Jashari.

Postimi i plotë i Hoxhës pa ndërhyrje:

Para 21 vitesh, 5, 6 dhe 7 Marsi ishin ditë që do të shënonin sakrificën e pashembullt nga Familja Jashari, ditë e përkushtimit titanik dhe vendosmërisë, për të fituar lirinë, ditë e ndarjes një herë e përgjithmonë nga robëria shekullore.

Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e filluar nga Komandanti legjendar Adem Jashari dhe Familja e tij, do të shënojnë ngjarjen më madhore të historisë tonë të re, ditë kur mbarë kombi u bashkua dhe u vu në shërbim të çlirimit dhe fitores.

Lavdi e përjetshme Komandantit legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari!

Lavdi e përjetshme për heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë!. /Lajmi.net/