Hoti viziton Kalanë e Kastërcit, kërkon intensifikimin e hulumtimeve arkeologjike dhe zhvillimin e turizmit kulturor
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka vizituar Kalanë e Kastërcit në Suharekë, ku nga afër është njohur me zbulimet arkeologjike dhe objektet historike që gjenden në këtë lokalitet. Hoti ka vlerësuar rëndësinë e këtij lokaliteti si pasuri e trashëgimisë kulturore dhe dëshmi e qytetërimit të hershëm në trevat e Kosovës. Gjatë…
Lajme
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka vizituar Kalanë e Kastërcit në Suharekë, ku nga afër është njohur me zbulimet arkeologjike dhe objektet historike që gjenden në këtë lokalitet.
Hoti ka vlerësuar rëndësinë e këtij lokaliteti si pasuri e trashëgimisë kulturore dhe dëshmi e qytetërimit të hershëm në trevat e Kosovës.
Gjatë vizitës, ai ka falënderuar Hamdi Bytyqin dhe vëllezërit e tij, pronarët e tokës ku ndodhet kalaja, për mikpritjen dhe prezantimin e gjetjeve arkeologjike. Në veçanti, ka veçuar Nuhiun, arsimtar i historisë, i cili për rreth 50 vjet i është përkushtuar ruajtjes dhe promovimit të kësaj historie.
Hoti ka theksuar nevojën për intensifikimin e hulumtimeve arkeologjike, duke kërkuar përfshirjen e studiuesve vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe zgjerimin e kërkimeve në arkivat e qendrave të ndryshme botërore.
Sipas tij, dokumentimi shkencor i historisë së këtij lokaliteti dhe i rrjetit të vendbanimeve e kishave që lidhen me të do të ndihmonte në pasurimin e hartës arkeologjike të Kosovës.
Ai ka vlerësuar gjithashtu se Kalaja e Kastërcit paraqet një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e Suharekës dhe promovimin e turizmit kulturor.
Në këtë drejtim, Hoti ka bërë thirrje që Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Suharekës të bashkëpunojnë për hartimin dhe zbatimin e një plani konkret, me synim shndërrimin e këtij lokaliteti në një destinacion të rëndësishëm për vizitorët vendorë dhe ndërkombëtarë. /Lajmi.net/