Hoti për vendimin e Kurtit për tarifën: Nuk është vendim i Qeverisë, nuk është koordinuar me LDK-në
Zëvendëskryeministri i parë, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, nuk është dakorduar për vendimin e tij me partnerët qeverisës.
Lajme
Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur për herë të parë pas njoftimit të kryeministrit Albin Kurti për heqjen e pjesshme dhe të kushtëzuar të tarifës ndaj produkteve serbe.
Hoti ka thënë në televizionin T7, se ajo që është prezantuar nga kryeministri i vendit “nuk është vendim i Qeverisë”.
“Vendimet e qeverisë merren në mbledhje të qeverisë, jo në konferencë për media”, ka deklaruar Hoti.
“Nuk mund të shkojë përpara asnjë vendim pa koordinim me partnerët qeverisës”, ka shtuar zëvendësi i Kurtit.
Hoti ka pranuar se nga Kurti është njoftuar paraprakisht për mbajtjen e konferencës për tarifën.
“Sot nuk ka qenë hera e vetme që kemi biseduar. Gjatë javës kemi biseduar disa herë, që të gjejmë zgjidhje, të pranueshme edhe për partnerët tanë ndërkombëtarë, që të ecim përpara”, është shprehur Hoti.
Sipas tij, ajo çfarë u tha sot nga Kurti përbën vetëm “propozim të kryeministrit se si ai e sheh çështjen e tarifës dhe reciprocitetit”.