Hoti për rezultatin e LDK-së: Mesazhi që votuesit në këto zgjedhje na kanë dhënë është shumë i qartë për secilin nga ne

Ish-kryeministri Avdullah Hoti i cili ka fituar vota mjaftueshëm për të qenë deputet edhe për një mandat ka falendëruar qytetarët që e kanë votuar në zgjedhjet e 7 qershorit. Hoti ka thënë se mesazhi që është marrë nga votuesit me 7 qershor është shumë i qartë. Ai gjithashtu ka thënë se vlerat e LDK’së nuk…

Lajme

19/06/2026 11:43

Ish-kryeministri Avdullah Hoti i cili ka fituar vota mjaftueshëm për të qenë deputet edhe për një mandat ka falendëruar qytetarët që e kanë votuar në zgjedhjet e 7 qershorit.

Hoti ka thënë se mesazhi që është marrë nga votuesit me 7 qershor është shumë i qartë.

Ai gjithashtu ka thënë se vlerat e LDK’së nuk maten në asnjë mënyrë me rezultate zgjedhore.

Postimi i plotë:

Në përmbyllje të procesit zgjedhor të 7 qershorit, falënderoj qytetarët për një proces zgjedhor të rregullt dhe sipas standardeve demokratike. Falënderoj të gjithë të përfshirët në administrimin e zgjedhjeve: KQZ-në, komisionerët dhe vëzhguesit, policinë dhe të gjitha organet e rendit që siguruan një proces të rregullt zgjedhor.
Falënderoj nga zemra secilin qytetar që ka zgjedhur Lidhjen Demokratike të Kosovës. Falënderoj mijëra aktivistë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në degë e nëndegë, në çdo lagje e fshat anembanë Kosovës, të cilët kanë kaluar ditë të tëra duke trokitur në çdo derë dhe duke organizuar tubime elektorale për të kërkuar besimin e qytetarëve për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Këta aktivistë përbëjnë shtyllat mbi të cilat mbahet Lidhja Demokratike e Kosovës.
Falënderoj të 49,957 votuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët, brenda një liste shumë cilësore të grave dhe burrave të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ma kanë dhënë besimin mua që t’i përfaqësoj në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Ky besim për mua është konfirmim dhe mbështetje e qëndrimeve që kam mbajtur në vazhdimësi, qëndrime që kanë për qëllim vetëm mbrojtjen dhe promovimin e vlerave politike konservatore, demokratike dhe euro-atlantike që Lidhja Demokratike e Kosovës përfaqëson në shoqërinë tonë. Këto janë vlerat, mbi të cilat kolosët politikë shqiptarë të kohës moderne, të prirë nga Presidenti Rugova, e themeluan Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Ky besim për mua është mesazh për t’i mbrojtur këto vlera me përgjegjësinë më të lartë, vlera që për mua janë udhërrëfyes për veprimet e mia të përditshme politike dhe jetësore: besimi në Zot dhe në familjet tona, pacenueshmëria e demokracisë dhe e lirive individuale e kolektive, liberalizmi ekonomik krahas kujdesit ndaj grupeve shoqërore në nevojë, integrimet shqiptare dhe fuqizimi i aleancave euro-atlantike të Republikës së Kosovës.
Mesazhi që votuesit në këto zgjedhje na kanë dhënë është shumë i qartë për secilin nga ne.
Unë besoj në potencialin politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe angazhohem me mish e me shpirt që i gjithë ai potencial të aktivizohet në interes të Republikës së Kosovës.
Unë besoj shumë fuqishëm se vlerat e Lidhjes Demokratike të Kosovës në asnjë rrethanë nuk maten me rezultate zgjedhore.
I juaji,
Avdullah Hoti