VV përgatitet për zgjedhje të brendshme këtë vit, Kurti vlerëson punën e aktivistëve

Lëvizja Vetëvendosje pritet të mbajë zgjedhje të brendshme gjatë këtij viti, sipas një njoftimi të publikuar, ku është bërë e ditur se çështja është diskutuar edhe në takimin e fundit të kryetarit Albin Kurti me përfaqësues të qendrave të partisë. Gjatë mbledhjes, Kurti ka falënderuar strukturat e VV-së për angazhimin e tyre në fushatën zgjedhore…

Lajme

19/06/2026 12:23

Lëvizja Vetëvendosje pritet të mbajë zgjedhje të brendshme gjatë këtij viti, sipas një njoftimi të publikuar, ku është bërë e ditur se çështja është diskutuar edhe në takimin e fundit të kryetarit Albin Kurti me përfaqësues të qendrave të partisë.

Gjatë mbledhjes, Kurti ka falënderuar strukturat e VV-së për angazhimin e tyre në fushatën zgjedhore dhe në ditën e votimit, duke vlerësuar punën e tyre si vendimtare për rezultatet e arritura, transmeton lajmi.net.

Sipas njoftimit, ai ka theksuar se “energjia, përgjegjësia dhe puna e treguar nga qendrat e Lëvizjes kanë qenë vendimtare për fitoren e madhe e të përsëritur”.

Në të njëjtin takim është diskutuar edhe për çështje të përgjithshme organizative, përfshirë përgatitjet për zgjedhjet e brendshme të partisë që pritet të zhvillohen brenda këtij viti.

Zgjedhje të brendshme këtë vit pritet të mbajë edhe Partia Demokratike e Kosovës, të cilat janë paralajmëruar për muajin tetor. Ndërkohë, brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës janë shtuar thirrjet për riorganizim të brendshëm pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit./lajmi.net/