Hoti citon hulumtimin e NDI: Gjashtë vjet qeverisje të LVV-së, qytetarët përballen me kosto të lartë të jetesës dhe pasiguri

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar lidhur me të gjeturat e një hulumtimi të NDI-së, të realizuar në maj të vitit 2026, duke i cilësuar ato si dëshmi për, siç thotë ai, dështimet e Lëvizjes Vetëvendosje në qeverisje. Përmes një postimi, Hoti ka deklaruar se premtimet e LVV-së për drejtësi sociale, luftim të korrupsionit,…

Lajme

09/08/2026 16:51

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar lidhur me të gjeturat e një hulumtimi të NDI-së, të realizuar në maj të vitit 2026, duke i cilësuar ato si dëshmi për, siç thotë ai, dështimet e Lëvizjes Vetëvendosje në qeverisje.

Përmes një postimi, Hoti ka deklaruar se premtimet e LVV-së për drejtësi sociale, luftim të korrupsionit, përmirësim të shëndetësisë dhe arsimit, si dhe punësim e të ardhura të sigurta, kanë rezultuar, sipas tij, të jenë “mashtrime elektorale”.

“Të gjeturat kryesore nga hulumtimi i NDI-së, i realizuar në maj 2026, tregojnë mashtrimet dhe dështimet e LVV-së në krye të institucioneve të vendit për 6 vite”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij, Qeveria e udhëhequr nga LVV-ja është ndër qeveritë me mandatin më të gjatë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Hoti ka renditur disa nga të gjeturat që, sipas tij, pasqyrojnë shqetësimet kryesore të qytetarëve:

  • 44 për qind e të rinjve të moshës 18–24 vjeç mendojnë të largohen krejtësisht nga Kosova.
  • Kostoja e jetesës paraqitet si problemi më i madh në vend, e lidhur me çmimet e larta të mallrave konsumuese dhe energjisë elektrike.
  • Tri vështirësitë kryesore për familjet janë faturat e shërbimeve publike, ushqimet e përditshme dhe kujdesi shëndetësor.
  • Rreziqet kryesore për demokracinë konsiderohen korrupsioni, pabarazia ekonomike dhe mungesa e llogaridhënies së politikanëve.
  • Ndër politikat më të nevojshme qytetarët i rendisin sigurimet shëndetësore, cilësinë e shërbimeve shëndetësore, të drejtat e punëtorëve në sektorin privat dhe cilësinë e arsimit.

Duke iu referuar këtyre të dhënave, Hoti ka argumentuar se problemet e identifikuara nga qytetarët janë në kundërshtim me premtimet që, sipas tij, LVV-ja i kishte bërë gjatë fushatave elektorale.

“Premtimet për drejtësi sociale, eliminim të korrupsionit, shëndetësi e arsim cilësor dhe punësim e të ardhura të sigurta për të gjithë kanë qenë mashtrime elektorale”, ka shkruar Hoti. /Lajmi.net/