Homel nga Atlantic Council: Pezullimi i Dialogut Strategjik, reflektim i frustrimit të thellë të Uashingtonit

Më 12 shtator të këtij viti, Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan se kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovën. Njoftimi u bë publik në një njoftim në Facebook të Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë. Aty u tha se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin…

Lajme

29/10/2025 18:58

Më 12 shtator të këtij viti, Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan se kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovën.

Njoftimi u bë publik në një njoftim në Facebook të Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë. Aty u tha se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.

E për këtë çështje ka folur edhe Lisa Homel nga organizata amerikane, “Atlantic Council”.

Në një deklaratë për televizionin polak, “TVPWorld”, që është pjesë e televizionit publik polak, ajo thotë se vendimi ka ardhur si pasojë e frustrimit të madh që ekziston në ShBA në raport me qeverinë në Kosovë.

“Suspendimi reflekton frustrimin e thellë në Uashington”, tha Homel.

Sipas shkrimit të “TVPWorld”, thuhet se vendimi erdhi pas muajsh kritikash nga Perëndimi ndaj qasjes së ashpër të Prishtinës.

Ky pezullim, sipas shkrimit, ishte shumë i dhimbshëm për Kosovën, e cila prej kohësh i konsideron Shtetet e Bashkuara si mbështetësen kryesore dhe garantuesen e saj të sigurisë.

Trupat Amerikane mbesin pjesë qendrore në KFOR, dhe mbështetja amerikane ka rritur numrin e njohjeve diplomatike që nga pavarësia.

“Humbja e besimit të Uashingtonit rrezikon ta dobësojë këtë mbështetje në një kohë kur aleatët e Serbisë, kryesisht Rusia dhe Hungaria, po punojnë për ta izoluar edhe më shumë Kosovën”, thotë më tej shkrimi në fjalë.

Dialogu i ngrirë me Beogradin

Analiza e “TVPWorld” thotë më tej se nëse marrëdhëniet me Brukselin janë të tensionuara, ato me Beogradin mbeten edhe më të ftohta. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja, që synonte normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pothuajse nuk ka lëvizur që nga Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 – një plan që të dyja palët e miratuan verbalisht, por nuk e nënshkruan kurrë.

Marrëveshja parashihte që Kosova të themelonte Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, që do t’i jepte komunitetit serb në veri kompetenca të kufizuara vetëmenaxhimi, ndërsa Serbia do të ndalonte bllokimin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës dhe do t’i lejonte anëtarësimin në organizata shumëpalëshe. Asnjëra palë nuk e ka përmbushur detyrimin.

Kurti këmbëngul se krijimi i AKS-së pa njohjen e Kosovës nga Serbia do të sillte ndarjen “përmes derës së pasme”. Ndërkaq, Beogradi refuzon të lëvizë drejt njohjes pa u themeluar asociacioni.

Ngërçi është thelluar që nga sulmi në Banjskë në shtator 2023, kur një grup paramilitar serb vrau një polic të Kosovës në veri. Prishtina fajëson Beogradin për organizimin e sulmit, akuzë që presidenti serb Alleksandar Vuçiq e mohon.

Që atëherë, Kurti ka shtrënguar kontrollin në zonë, veprime që Brukseli dhe Uashingtoni i konsiderojnë si shkelje të marrëveshjeve të mëparshme mes dy vendeve.