Hill: Kosova dhe Serbia t’i zgjidhin vetë problemet – SHBA-ja nuk do të ndërhyjë më si dikur
Ish-ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, nuk pret që SHBA-ja të ndërhyjë në zgjidhjen e problemeve në Ballkan, përfshirë kontestin mes Kosovës dhe Serbisë, siç ka bërë në të kaluarën. Sipas tij, ky rajon nuk është prioritet ditor për SHBA-në dhe zgjidhjet duhet të vijnë nga brenda. “Ballkani është, padyshim, një punë e papërfunduar në…

Lajme
Ish-ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, nuk pret që SHBA-ja të ndërhyjë në zgjidhjen e problemeve në Ballkan, përfshirë kontestin mes Kosovës dhe Serbisë, siç ka bërë në të kaluarën.
Sipas tij, ky rajon nuk është prioritet ditor për SHBA-në dhe zgjidhjet duhet të vijnë nga brenda.
“Ballkani është, padyshim, një punë e papërfunduar në Evropë, por njerëzit në Ballkan duhet të kuptojnë se në pjesë të tjera të botës, po ndodhin gjëra të tjera. Ndaj, nuk duhet të presin që njerëzit t’i lënë mënjanë problemet me të cilat po merren, qoftë në Ukrainë apo në Lindjen e Mesme, dhe të thonë: Në rregull, Kosovë, do të mundohemi të të ndihmojmë me këtë”, thotë Hill në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.
Ai thekson se Kosova duhet ta çojë përpara themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, thotë se edhe Serbia ka punë për të bërë, por nënvizon se ajo është duke ndihmuar Ukrainën – prioritetin kryesor në Evropë, sipas tij.
“Fakti që po mundohemi t’i menaxhojmë disa nga interesat tona me Serbinë, nuk do të thotë që jemi kundër Kosovës. Ne kemi shumë interesa edhe në Kosovë”, thotë Hill.
Ai tutje shtoi se Kosova dhe Serbia duhet t’i zgjidhin vetë problemet e tyre.
“Mendoj se do të ketë një përpjekje nga SHBA-ja për t’i nxitur vendet e Ballkanit që të fillojnë t’i zgjidhin vetë problemet e tyre. Mendoj se koha kur vendet vinin te ne ose te ndonjë shtet perëndimor evropian për t’u ankuar për fqinjët e tyre, [ka mbaruar] dhe njerëzit janë lodhur nga kjo”, tha ai.