HIB Petrol: Shou medial i prokurores Drita Hajdari
Në një komunikatë për opinionin publik, ndërmarrja HIB Petrol ka reaguar ndaj deklarimeve të mbrëmshme të prokurores speciale Drita Hajdari në emisionin Puls të KTV-së, duke e cilësuar ato si shou medial.

Lajme
“HIB Petrol kërkon nga palët e përfshira në procesin gjyqësor që të mos e shkelin parimin e prezumimit të pafajësisë, duke na shpallur fajtorë dhe mashtrues ende pa përfunduar procesi gjyqësor”.
HIB Petrol ka përcjellë me shqetësim deklaratën e Prokurores në Prokurorinë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari, e cila, në kundërshtim me praktikat gjyqësore të shteteve demokratike, na ka dhënë një verdikt fajësues me anë të deklarimeve publike në media, ndonëse këtë nuk e ka bërë gjykata, thuhet më tutje në këtë reagim.
“Vlerësojmë se me këtë rast prokurorja Hajdari ka bërë shou medial duke luajtur rolin e prokurores, avokates dhe gjykatëses njëkohësisht, me synim që e vetme dhe njëanshëm, pa përfillur normat gjyqësore, ta shpallë fajtorin”.
“Natyrisht se edhe ne, si palë e akuzuar në këtë rast, kemi të drejtën ligjore të shpalosim argumentet tona para gjyqit, gjë të cilën edhe po e bëjmë, me të cilat presim të lirohemi nga përgjegjësia penale”, shtohet në reagim.
Përfaqësuesi ligjor i kësaj ndërmarrje, në fund thotë se “deklaratat e këtilla të pamatura, sidomos kur ato bëhen përmes medies, e njollosin rëndë imazhin e kompanisë HIB Petrol, si dhe njëkohësisht ndikojnë në pavarësinë të cilën do të duhej ta ruante një proces gjyqësor fer dhe i drejtë.