Heshtja e kaplon LDK-në para Kuvendit të partisë, Tahiri mbyll telefonin të tjerët flasin shkurtimisht se a janë “pro” Abdixhikut apo Hotit?
Të shtunën do të mbahet Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës ku edhe do të shqyrtohet ofrimi i dorëheqjes nga kryetari i tanishëm i partisë, Lumir Abdixhiku. Për të marr rolin e të parit të partisë tash ka shprehur hapur dëshirën ish-kryeministri dhe deputeti i zgjedhur, Avdullah Hoti. Ai e ka bërë publike tashmë kandidaturën…
Lajme
Të shtunën do të mbahet Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës ku edhe do të shqyrtohet ofrimi i dorëheqjes nga kryetari i tanishëm i partisë, Lumir Abdixhiku.
Për të marr rolin e të parit të partisë tash ka shprehur hapur dëshirën ish-kryeministri dhe deputeti i zgjedhur, Avdullah Hoti.
Ai e ka bërë publike tashmë kandidaturën që do të shpaloset para delegatëve të partisë më 31 janar, transmeton lajmi.net.
Hoti mbrëmë në deklarimet e shumta që bëri mbrëmë në t7, tha ndër të tjerash se Lumir Abdixhiku ka dhënë dorëheqje dhe nuk mund më të kërkojë votëbesimin e delegatëve.
“Natën e zgjedhjeve Lumir Abdixhiku ka dhënë dorëheqje, në diskutimet e brendshme ka thënë do t’iu ofrojë dorëheqjet në Kuvendin e LDK-së. Deklarimi i një zyrtari publik është obligim për t’iu përmbajtur, mbi bazën e atij deklarimi që ai do t’ia ofrojë dorëheqjen Kuvendit të LDK-së, prezenca ime këtu është statutare, e kam njoftu opinionin që unë do të dërgojë besimin e delegatëve për të drejtuar LDK-në”, ka thënë ai.
Kësaj deklarate të Hotit i është përgjigjur me një postim indirekt Abdixhiku.
“Në jetë duhet pasur vullnet e durim, të mirat vijnë pastaj. Ata që besojnë, qëndrojnë. Koha i vendos gjërat në vend.”, shkroi Abdixhiku.
Në lidhje me të shtunën e partisë që dikur udhëhiqej nga Ibrahim Rugova, por tani ra në 13% shumë zyrtarët tjerë të LDK-së po qëndrojnë të heshtur dhe nuk po dalin të deklarohen.
Lajmi.net ka folur me Arbër Ismajlin ish-kandidati i LDK-së për kryetar të Gjilanit dhe ish-kandidati për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ismajli tha se dita e shtunë do të jetë festë në LDK.
“Unë besoj se ka me qenë Kuvend feste. LDK duhet me qenë unike në këtë proces. Normalisht edhe ambiciet individuale të njerëzve duhet me u adresu, fundi i fundit kjo është demokracia. Nuk pres diçka përveç një festë të madhe edhe një bashkim i të gjithë akterëve që janë pjesëmarrës në Kuvend.”, tha fillimisht ai.
Tutje, ai foli edhe për shpalljen e kandidaturës së Avdullah Hotit.
“Është çështje e ish-kryeministrit Hoti, ai e ka vlerësuar se duhet me qenë pjesë e garës, ne duhemi me respektu secili veç e veç kandidaturën e tij për kryetar të LDK-së.”, u shpreh Ismajli.
Ai refuzoi ta bëj publik qëndrimin në lidhje me ofrimin e dorëheqjes së Lumir Abdixhikut.
Kurse, ish-kandidati për kryetar të Vushtrrisë nga LDK, Xhafer Tahiri sapo gazetari i lajmi.net i kërkoi mendim në lidhje me Kuvendin e së premtes, ai e mbylli telefonin në shpejtësi.
Ndërsa, ish-kandidatja për deputete e LDK-së në zgjedhjet e fundit, Rrezarta Krasniqi refuzoi të jep ndonjë koment.
“Kuvendin e kemi te shtunën, kështu që ka kohë deri atëherë dhe e shohim se çfarë po ndodh. Nuk po merrem me kandidimin as të Abdixhikut e as të Hotit”, tha Krasniqi për lajmi.net.
Lajmi.net tentoi të kontaktoi me figura tjera të LDK-së por që nuk ishin të qasshëm.
Dega e LDK-së në Pejë që udhëhiqet nga nënkryetar i këtij subjekti, Gazmend Muhaxheri, ka dal pro Abdixhikut.
Kurse, nënkryetarja e këtij subjekti, Hykmete Bajrami ka kërkuar dorëheqjen e Abdixhikut pas rezultatit të 28 dhjetorit. Bajrami, Hoti dhe Arben Gashi madje njihen si figurat e LDK-së që thuhet se su pajtuan me asnjë qëndrim të Abdixhikut si kryetar i LDK-së.
Hoti madje mbrëmë e kritikoi Abdixhikun edhe për opozitarizmin, ku tha se po të ishte në vendin e tij do thirrte shpesh herë të mbaheshin seanca, diskutime mbi çështjet e rëndësishme të vendit.
Abdixhiku nga ana tjetër njihet si njeriu i “heshtur” i opozitës së kaluar, qasje kjo e kritikuar edhe nga shoqëria civile, analistët e gazetarët në vend./lajmi.net/