Heqja e vizave për 3 muaj, e pamundur

Njohësit e çështjeve të integrimeve evropiane thonë se deklaratat e kandidatëve për kryeministër se liberalizimi i vizave do të ndodhë pas tre muajve nga ardhja në pushtet janë joserioze. Sipas tyre, partitë politike më së paku duhet marrë seriozisht në kohë fushate.

Lajme

25/05/2017 09:01

Kandidatët për kryeministër që garojnë në zgjedhjet e 11 qershorit kanë filluar me premtime megalomane, duke filluar nga heqja e vizave me BE-në tre muaj pasi që të vijnë në krye të Qeverisë, premtim ky që nuk është realizuar që nga viti 2010 e këndej.

Një premtim i dhënë ditëve të fundit nga kandidati për kryeministër i koalicionit PDK-AAK-“Nisma”, Ramush Haradinaj.

Ky i fundit ka deklaruar se me fillimin e punës së një komisioni të ri për Demarkacionin, procesi i liberalizimit të vizave s’do të zgjasë më shumë se tre muaj.

“Unë nuk shoh periudhë më të gjatë se tre muaj nga momenti i nisjes së punës për liberalizim”, ka thënë ai.

Mirëpo një premtim të tillë njohësit e çështjeve ndërkombëtare dhe të integrimeve evropiane e cilësojnë si jo të realizueshëm në afat tremujor, shkruan tutje Gazeta “Zëri”.

E në anën tjetër Albin Kurti, kandidati për kryeministër nga radhët e “Vetëvendosjes”, ka hedhur poshtë afatin tremujor të liberalizimit të vizave, duke thënë se liberalizimi i vizave do punë për t’u arritur.

“Kjo bëhet më një sundim të ligjit dhe me futjen e kriminelëve të mëdhenj në burg”, ka thënë ai.