Heqja e taksës 10% për mallrat nga ShBA-ja, Molliqaj: Kërkesat e sotme janë jo parimore

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka kritikuar kërkesat për heqjen e taksës doganore 10%, për mallrat e ardhura nga ShBA-ja, duke thënë se ato janë të paargumentuara dhe nuk pasqyrojnë një qasje parimore. Molliqaj shtoi se këto kërkesa duket se kanë për qëllim përfitimin personal dhe lavdërimin e fuqive të mëdha. “Kërkesat e sotme për…

Lajme

04/04/2025 17:42

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka kritikuar kërkesat për heqjen e taksës doganore 10%, për mallrat e ardhura nga ShBA-ja, duke thënë se ato janë të paargumentuara dhe nuk pasqyrojnë një qasje parimore.

Molliqaj shtoi se këto kërkesa duket se kanë për qëllim përfitimin personal dhe lavdërimin e fuqive të mëdha.

“Kërkesat e sotme për heqjen e taksës janë jo parimore dhe pa përmbajtje kritike. Për të mos thënë që ato i karakterizon një qasje që pret raste për të shfrytëzuar, qasje për të bërë lajka ndaj t’madhit, gjithnjë për përfitim vetjak. Kosova duhet kritikuar për politikën e saj të jashtme edhe jo parimore edhe izolacioniste. Por duhet thënë, ky rast flet për kritikuesit më shumë”, ka thënë ai.

Sipas Molliqajt, taksa është aplikuar gjatë qeverisjes së Thaçit, Mustafës dhe Haradinajt dhe nuk është hequr deri tani.

Ai theksoi gjithashtu se taksa është e aplikueshme për vendet me të cilat Kosova nuk ka marrëveshje të tregtisë së lirë, dhe e konsideroi të pavend lidhjen e kritikave për këtë çështje me politikën e jashtme të Kosovës.

“Taksa doganore 10% është këtu për një kohë të gjatë. Këtë taksë Kosova e ka për secilin vend me të cilin s’ka marrëveshje të tregtisë së lirë. Ka qenë këtu përgjatë qeverisjes Thaçi, Mustafa e Haradinaj. Askush nuk e ka hequr. Nuk besoj madje që lidhur me taksat e vendosura së fundi, problemi i Amerikës ndërlidhet në ndonjë mënyrë me neve. Volumi tregtar i prekur prej kësaj takse është i pallogaritshëm, përndryshe edhe përgjigjen do ta merrnim tjetër”, ka përfunduar Molliqaj.