Henderson pranë rinovimit të kontratës me Liverpool edhe për tre vite të tjera

Liverpool ka qenë skuadër mjaft aktive në rinovimin e kontratave me disa futbollistëve këtë verë.

Sport

16/08/2021 10:23

Klubi i  “The Reds” këtë verë ka rinovuar kontratën me katër futbollistë deri tani, shkruan lajmi.net.

Trent-Arnold (2025), Fabinho (2026), Alisson (2027), dhe Virgil van Dijk (2024), tashmë kanë rinovuar kontratat me klubin, gjersa në pritje janë edhe Mane, Salah e Robertson.

Henderson kishte mbajtur gjithashtu bisedime muaj më parë rreth rinovimit, megjithatë bisedimet nuk kishin qenë të frytshme dhe raportohej se anglezi pritet të largohet nga klubi anglez.

Sidoqoftë duket se bisedimet kanë marrë kahjen e duhur, pasi edhe menaxheri Klopp në konferencën për shtyp para sfidës së parë sezonale theksoi se është optimist se kjo çështje do të zgjidhet.

‘TheAthletic’ tani raporton se Jordan Henderson ka arritur një marrëveshje në parim për rinovimin e kontratës me Liverpool.

Kontrata do të jetë tre-vjeçare me kushte më të përmirsuara, dhe me opsion zgjatje edhe për një vit tjetër, varësisht prej performancave të mesfushorit.

Kontrata e anglezit nuk është nënshkruar ende, megjithatë kjo pritet të arrihet së shpejti, me Klopp që thuhet se ka qenë kyç në këtë operacion.

Kapiteni 31-vjeçar nuk ishte pjesë e skuadrës në xhiron hapëse të fitores 3-0 ndaj Norwich, pasi ishte kthyer vonë nga pushimet dhe kishte pak seanca stërvitore të mbajtura. /Lajmi.net