​Haziri: Kurti do ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit në Kushtetuese para anëtarësimit në KiE

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se kryeministri Albin Kurti do të dërgojë draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese, si kundërvlerë të anëtarësimit në Këshill të Evropës. Sipas tij, Kurti do ta bëjë një gjë të tillë para mbledhjes në muajin maj të Komitetit të Ministrave të…

Lajme

27/04/2024 11:28

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se kryeministri Albin Kurti do të dërgojë draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese, si kundërvlerë të anëtarësimit në Këshill të Evropës.

Sipas tij, Kurti do ta bëjë një gjë të tillë para mbledhjes në muajin maj të Komitetit të Ministrave të Punëve të Jashtme të KiE-së, pasi konsideron se kreu qeveritar deri tani çdo mohim e ka kthyer në pranim, derisa konsideron se pozicioni aktual i tij është vetëm për konsum të brendshëm. Haziri thekson se dërgimi i draftit të propozuar nga euro-amerikanët në Kushtetuese në këmbim të anëtarësimit në KiE, është pozicioni më i ulët që Kosova ka mundur të realizojë, pasi ka pasur mundësi të tjera si përshpejtimi i rrugës për anëtarësim në NATO.

Haziri në një intervistë, thotë se nëse kryeministri Kurti nuk pranon të dërgojë draftin në Gjykatën Kushtetuese do t’ia humbë Kosovës mundësinë për anëtarësim në Këshill të Evropës.

“Ekziston mundësia që Kurti të miratojë draft-satutin e propozuar nga BE-ja që quhet propozim evropian dhe në momentin që hyn në qeveri bëhet dokument i Qeverisë së Kosovës dhe të qohet në Gjykatë Kushtetuese. Pastaj Gjykata e ka afatin e vet për me komentu a është në frymë kushtetuese. Hyn mekanizmi 45 ditësh për implementim, pasi BE-ja e ka task-forcën, grupin punues për zbatim për mbikëqyrje. Logjikshëm që kjo duhet të ndodh, nëse Kurti shkakton ngërç atëherë ia humb Kosovës mundësinë për anëtarësim…Zotëri Kurti çdo mohim të tij e ka kthyer në pranim deri tash. Kjo është për konsum të brendshëm. Nëse e mban qëndrimin e një jo të fortë karshi kësaj atëherë humbet mundësia që në maj të bëhet votimi. Nëse ka koncesione të reja në kuadër të zhvillimeve të fundit, pasi është aktivizuar BE-ja, me presidentit francez dhe qeveria amerikane përmes ndihmës-sekretarit O’Brien”, thotë Haziri.

Sipas tij, partnerët ndërkombëtar të Kosovës kanë humbur besimin në kryeministrin Albin Kurti, prandaj duan veprime të prekshme për themelimin e Asociacionit, pavarësisht letrës së krerëve të shtetit drejtuar Këshillit të Evropës se pas anëtarësimit në këtë mekanizëm ndërkombëtar do të nisen procedurat për themelimin AKS-së.

“Ka shtete që mund të kenë kërkesa, mund të vendosin veto dhe të kërkojnë sqarime. Tani ju e dini që po përmendet çështja e draft-statutit e cila e detyron kryeministrin Kurti me bërë veprime të prekshme. S’ka më zotime me letra që është bërë për Këshillin e Evropës, por duket se është e pamjaftueshme. Nuk po i besojnë. Kjo është me rënda në politikë, kur e humb besimin. Humbja e besimit tek partnerët kredibil është fakt, pasi kjo qeveri s’ka besim…08:57 Ata e kanë kuptuar se kryeministri Kurti dhe kjo qeveri funksionon në bazë të një presioni. Kjo është e keqe, metodë e bashkëpunimit e keqe. Kjo dëmton marrëdhëniet që tregon se janë të kushtëzuar, nëse dëshiron me bashkëpunu duheni me bërë këtë veprim të prekshëm. Rezultat i prekshëm për ata është se duhet me u kryer njëherë puna ose obligimi pastaj flasim për çështje të tjera. Nëse Kosova hyn në marrëdhënie të tilla të kushtëzuara duke kërkuar si kundër shpërblim diçka po del se draft-statutin e Asociacionit kjo qeveri do ta qoj në gjykatë në këmbim të anëtarësimit në Këshill të Evropës. Kjo është pozicioni më i ulët që Kosova ka mundur të realizojë. Ka pas mundësi të tjera, përshpejtimi i rrugës për partneritet në NATO ose përshpejtim i rrugës për integrime evropiane”, shton Haziri.

I dyti i LDK-së për KosovaPress, shpreh brengën e tij nëse Gjykata Kushtetuese mund ta pastrojë draft-statutin e Asociacionit nga elementet që sipas tij janë jokushteutese. Sipas tij, kushtetuesja nuk mund të ndryshojë strukturën e draft-statutit, por ajo çka mund të bëjë është terminologjia dhe harmonizimi me frymën kushtetuese.

“Ata nuk mund të ndryshojnë strukturën, karakterin e marrëveshjes ndërkombëtare. Ata mund të harmonizojnë dhe konstatojnë frymën kushtetuese. Të thuhet është në frymë kushtetuese ose jo. Çka munden me kreh është terminologjia. Nëse ajo nuk është në përputhje me frymën kushtetuese por jo më shumë. Ajo çka kemi gjet problem serioz në dokument është se e thyen karakterin unitar të organizimit kushtetues. Aspekti i autonomisë territoriale dhe pjesë të tjera”, thekson Haziri.

Partnerët ndërkombëtar të Kosovës ditët e fundit kanë shpeshtuar thirrjet për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit, të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga ShBA-ja në Gjykatën Kushtetuese, si hap kyç për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.