Haxhiu: Të drejtat e grave janë rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të tyre
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka marrë pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, 8 Marsin nga Agjencia për Barazi Gjinore me temën globale “Të drejta, Drejtësi, Veprim”. Në fjalën e saj, Haxhiu ka thënë se të drejtat e grave janë standar për mënyrën se si një shoqëri e kupton lirinë dhe…
Lajme
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka marrë pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, 8 Marsin nga Agjencia për Barazi Gjinore me temën globale “Të drejta, Drejtësi, Veprim”.
Në fjalën e saj, Haxhiu ka thënë se të drejtat e grave janë standar për mënyrën se si një shoqëri e kupton lirinë dhe demokracinë, ndërsa mënyra si një vend i trajton gratë dhe vajzat është pasqyra më e ndershme e lirisë së atij vendi.
Ajo ka thënë se historia ka dëshmuar se të drejtat e grave nuk janë dhuratë por rezultat i veprimit dhe angazhimit të vazhdueshëm të grave që kanë refuzuar të pranojnë padrejtësinë si normalitet, shkruan lajmi.net.
“Çdo e drejtë që sot na duket e natyrshme është fituar sepse një grua dikur e ka ngritur zërin. Një tjetër ka protestuar. Dikush ka refuzuar ta pranojë padrejtësinë si normalitet. Dhe me çdo veprim të tyre, ato frymëzuan gratë e tjera ta gjejnë zërin e tyre dhe të punojnë së bashku për ndryshim të vërtetë. Këtë e dëshmojnë shumë gra në historinë tonë. Gra që e kanë kthyer bindjen në punë të përditshme”, tha ajo.
Haxhiu shtoi se ndonëse Kosova ka bërë përparime në legjislacion, realiteti tregon se puna nuk përfundon me miratimin e ligjeve, pasi shumë gra vazhdojnë të përballen me dhunë në familje, pabarazi ekonomike dhe barriera në vendimmarrje e në tregun e punës.
“Si Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, zotohem se do t’i fuqizojmë mekanizmat e mbikëqyrjes parlamentare dhe do t’ua kujtojmë institucioneve përkatëse përgjegjësinë që kanë në zbatimin e ligjeve. Sepse në fund të fundit, qëllimi i gjithë këtij angazhimi është që progresi për të cilin flasim të bëhet i dukshëm, i prekshëm për vajzat dhe gratë e këtij vendi. Shpesh e kam menduar edhe në të kaluarën, gjatë kohës sa kam qenë Ministre e Drejtësisë, por edhe sot si Kryetare e Kuvendit, se si duket në praktikë progresi për të cilin flasim apo flasim kaq shpesh. Ligjet, po, janë të rëndësishme. Politikat janë të domosdoshme. Por ndryshimi duhet të ndihet në jetën e përditshme. Dhe ndonjëherë ky ndryshim shfaqet në mënyrë shumë konkrete, për shembull siç e kemi parë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, ku pjesa më e madhe e deputeteve gra janë zgjedhur pa u mbështetur në kuotën gjinore”, tha ajo.