Haxhiu takon homologen e saj austriake: Kosovës i premtohet mbështetje për anëtarësim në KiE

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu priti në takim zyrtar homologen nga Republika Federale e Austrisë, ministren Alma Zadic. Haxhiu së bashku me Zadicin, sot kanë nënshkruar Deklaratë të Përbashkët të Bashkëpunimit mes dy shteteve. Pas nënshkrimit të Deklaratës, dy ministret kanë mbajtur konferencë për media ku kanë folur për bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e mira mes…

Lajme

28/03/2024 13:33

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu priti në takim zyrtar homologen nga Republika Federale e Austrisë, ministren Alma Zadic.

Haxhiu së bashku me Zadicin, sot kanë nënshkruar Deklaratë të Përbashkët të Bashkëpunimit mes dy shteteve.

Pas nënshkrimit të Deklaratës, dy ministret kanë mbajtur konferencë për media ku kanë folur për bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e mira mes dy shteteve në fushën e sundimit të ligjit.

Haxhiu në fjalën e saj tha se çdo ditë e më shumë, Kosova po vazhdon të ndërtojë marrëdhënie të mira bilaterale me vende të tjera, të cilat vazhdojnë ta ndihmojë shtet-ndërtimin e vendit, por edhe forcimin e subjektivitetit juridik ndërkombëtar..

Tutje, Haxhiu tha se Deklarata e Përbashkët lidhur me Fuqizimin e Sundimit të Ligjit, por edhe procesi i fillimit të negocimit të Marrëveshjes për Bashkëpunim Gjyqësor në Çështjet Penale, përveç se thellojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve,  gjithashtu kontribuojnë edhe në fuqizimin e sundimit të ligjit.

“Ministrja Haxhiu tregoi se për gjatë tre viteve qeverisje, janë shënuar 29 akte/marrëveshje ndërkombëtare si dhe nisma për marrëveshje të nënshkruara dhe miratuara, mbi 16,701 kërkesa dhe përgjigje në kuadër të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, 144 persona të ekstraduar në periudhën mars 2021 – mars 2024, por gjithashtu 21 persona të transferuar për periudhën e njëjtë”, bën të ditur ministria.

Haxhiu falënderoi Republikën Federale të Austrisë për ndihmë në çlirim dhe shtet ndërtim të Republikës së Kosovës dhe për vullnetin e treguar për fuqizim të sundimit të ligjit.

Ndërsa Zadic tha se vendi i saj i njeh përpjekjet dhe arritjet e Kosovës për sundimin e ligjit dhe se mbeten mbështetësit afatgjatë në fushën e sundimit të ligjit.

Tutje ministrja tha se Republika Federale e Austrisë do ta mbështesë Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në procesin e mëtutjeshëm integrues në Bashkimin Evropian.