Haxhiu: Mbrojtja e ish-drejtuesve të UÇK-së është detyrë qytetare e institucionale – Por askush nuk i mbron ata duke shpallur aty për aty “spiunë” e “tradhtarë” kundërshtarët politikë

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, përmes një reagimi publik, ka bërë thirrje për maturi të lartë institucionale dhe shoqërore, duke theksuar se mbrojtja e ish-drejtuesve të UÇK-së nuk bëhet duke shpallur “spiunë” apo “tradhtarë” kundërshtarët politikë dhe qytetarët. Haxhiu ka vlerësuar se etiketimet e tilla në protesta, emisione televizive dhe rrjete sociale riprodhojnë…

Lajme

17/09/2026 21:16

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, përmes një reagimi publik, ka bërë thirrje për maturi të lartë institucionale dhe shoqërore, duke theksuar se mbrojtja e ish-drejtuesve të UÇK-së nuk bëhet duke shpallur “spiunë” apo “tradhtarë” kundërshtarët politikë dhe qytetarët.

Haxhiu ka vlerësuar se etiketimet e tilla në protesta, emisione televizive dhe rrjete sociale riprodhojnë logjikën e vetë akuzës, duke e shndërruar kundërshtarin në shënjestër, transmeton lajmi.net.

“Mbrojtja e ish-drejtuesve të UÇK-së është detyrë qytetare e institucionale. Por askush nuk i mbron ata duke shpallur aty për aty “spiunë” e “tradhtarë” kundërshtarët politikë, duke shënjestruar dëshmitarë apo duke kërkuar fajtorë mes qytetarëve të Kosovës. Shënjestrimi me këto emërtime, në protesta, në emisione televizive dhe në postime publike, dje dhe sot riprodhon pikërisht logjikën e akuzës së ngritur ndaj drejtuesve të UÇK-së, etiketimin e kundërshtarit si armik dhe kthimin e tij në shënjestër. Kështu, në emër të mbrojtjes, i jepet fuqi vetë akuzës.”, shkroi ndër të tjera ajo.

Sipas saj, përpjekja për ta paraqitur një popull të tërë si burim “spiunimi” është e pavërtetë, fyese dhe e rrezikshme, pasi dëshmitë janë përgjegjësi vetjake e individëve e jo e një populli të tërë.

Ajo ka fshikulluar gjithashtu shpifjet dhe kërcënimet, duke potencuar se vlerat e luftës së UÇK-së nuk mbrohen në këtë mënyrë, por me të vërtetën, drejtësinë dhe dinjitetin. Në fund, u ka bërë thirrje të gjithë individëve që veprojnë publikisht të tregojnë pjekuri dhe të mos lejojnë që dhimbja të shndërrohet në përçarje të brendshme.

Postimi i plotë: 

Mbrojtja e ish-drejtuesve të UÇK-së është detyrë qytetare e institucionale.
Por askush nuk i mbron ata duke shpallur aty për aty “spiunë” e “tradhtarë” kundërshtarët politikë, duke shënjestruar dëshmitarë apo duke kërkuar fajtorë mes qytetarëve të Kosovës.
Shënjestrimi me këto emërtime, në protesta, në emisione televizive dhe në postime publike, dje dhe sot riprodhon pikërisht logjikën e akuzës së ngritur ndaj drejtuesve të UÇK-së, etiketimin e kundërshtarit si armik dhe kthimin e tij në shënjestër. Kështu, në emër të mbrojtjes, i jepet fuqi vetë akuzës.
Populli nuk dëshmon. Dëshmojnë individë, secili me emër dhe me përgjegjësi vetjake. Prandaj, përpjekja për ta paraqitur një popull të tërë si burim “spiunimi” është e pavërtetë, fyese dhe e rrezikshme. Ajo mbjell frikë, nxit linçim dhe e shndërron dhimbjen në përçarje.
Nga ana tjetër kushdo që ka të dhëna për persona që kanë dëmtuar apo dëmtojnë interesin kombëtar e tash edhe shtetëror duhet sa më parë t’i paraqesë ato në organet tona të sigurisë e drejtësisë. Sepse këto raste duhet të adresohen në plotni.
Asnjë padrejtësi nuk ndreqet duke prodhuar një padrejtësi tjetër. Vlerat e luftës së UÇK-së nuk mbrohen me shpifje dhe kërcënime, por me të vërtetën, drejtësinë dhe dinjitetin që e kanë mbajtur gjallë popullin tonë.
Ju bëj thirrje secilit individ që del apo vepron publikisht të tregojë maturi dhe të paraqesë vlerat dhe virtytet që na karakterizojnë si shoqëri dhe si komb./lajmi.net/