Haxhiu kritikon Avokatin e Popullit për reagimin mbi moscertifikimin e Listës Serbe

Anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklarimit të Avokatit të Popullit lidhur me moscertifikimin e Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke e cilësuar qëndrimin e tij të çuditshëm dhe të padrejtë. Në një postim në Facebook, Haxhiu ka kritikuar Avokatin e Popullit për, siç tha ajo, fokusim të padrejtë ndaj…

Lajme

03/12/2025 17:49

Anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklarimit të Avokatit të Popullit lidhur me moscertifikimin e Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke e cilësuar qëndrimin e tij të çuditshëm dhe të padrejtë.

Në një postim në Facebook, Haxhiu ka kritikuar Avokatin e Popullit për, siç tha ajo, fokusim të padrejtë ndaj çështjes së Listës Serbe, duke kujtuar se ky subjekt politik “nuk e njeh rendin kushtetues të Republikës së Kosovës” dhe se “nuk është distancuar” nga sulmi i armatosur në Banjskë.

Ajo ka përmendur gjithashtu faktin që Lista Serbe ka pasur në udhëheqje Milan Radojçiqin, i cili nga autoritetet kosovare konsiderohet si organizator i sulmit në Banjskë.

“Si është e mundur që për një subjekt si Lista serbe që lufton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, nuk e njeh Kosovën, e ka pasur nënkryetar kryekriminelin Radojçiq dhe jo vetëm që nuk është distancuar nga akti terrorist në Banjskë, por ka mbajtur tre ditë zie për terroristët e vrarë aty, IAP shprehet i shqetësuar me kaq lehtësi? Edhe më e rëndë bëhet gjendja kur marrim parasysh se Avokati i Populli nuk ka shfaqur asnjë shqetësim për tendencat e vazhdueshme dhe vendimet që po vështirësojnë votimin e mërgatës sonë”, ka shkruar Haxhiu.

Sipas saj, KQZ nuk po ushtron diskriminim ndaj komunitetit serb, duke theksuar se disa subjekte të tjera serbe tashmë janë certifikuar për zgjedhje.

“IAP nuk duhet të funksionojë me standarde të dyfishta. Vendimi i KQZ nuk është kundër subjekteve serbe dhe as qytetarëve serb sepse tashmë KQZ ka certifkuar disa subjekte serbe. Arsyet për moscertifikimin e LS tashmë janë të njohura dhe të justifikuara. Ky lloj selektiviteti bie ndesh me parimet e transparencës dhe paanshmërisë që IAP duhet t’i mbrojë”, ka përfunduar ajo.