Haxhiu: Kërkimi ynë nuk do të ndalet derisa të gjendet edhe personi i fundit i zhdukur me dhunë
Tri familje kanë marrë sot lajmin për identifikimin e familjarëve të tyre, të cilët ishin zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999. Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se analizat e ADN-së kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave, mbetjet mortore të të cilave ishin zhvarrosur në varrezat masive në…
Lajme
Tri familje kanë marrë sot lajmin për identifikimin e familjarëve të tyre, të cilët ishin zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se analizat e ADN-së kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave, mbetjet mortore të të cilave ishin zhvarrosur në varrezat masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.
Sipas Haxhiut, viktimat ishin pjesë e grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, i përbërë nga shqiptarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të cilët ishin rrëmbyer nga forcat serbe më 19 prill 1999.
“Për 27 vjet, këto familje jetuan pa ditur ku ishin më të dashurit e tyre. Sot ato e dinë. Dhimbja mbetet, por kjo pritje e gjatë mbaroi”- ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka thënë se është pranë familjeve në këtë ditë, ndërsa ka shprehur bashkëndjesinë edhe me familjet e tjera që janë në pritje të rezultateve të gërmimeve në javët në vijim.
“Kërkimi ynë nuk do të ndalet derisa të gjendet edhe personi i fundit i zhdukur me dhunë dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë”- ka deklaruar tutje Haxhiu.