Haxhiu i replikon ashpër Deliut: Mos u bëj zëdhënëse e zyrës së BE-së, ata i kemi partnerë konsultohemi por Kuvendi vendos

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka reaguar ndaj deputetes së PDK-së, Blerta Deliut në lidhje me kundërshtimin e saj për të votuar për ligjin për Lojërat Mesdhetare 2030, për shkak se PDK dhe opozita vlerëson se po tentohen të anashkalohen procedurat e tenderimit publik sipas ligjit në fuqi në Kosovë. Të njëjtën sikurse opozita e…

Lajme

23/04/2026 12:55

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka reaguar ndaj deputetes së PDK-së, Blerta Deliut në lidhje me kundërshtimin e saj për të votuar për ligjin për Lojërat Mesdhetare 2030, për shkak se PDK dhe opozita vlerëson se po tentohen të anashkalohen procedurat e tenderimit publik sipas ligjit në fuqi në Kosovë.

Të njëjtën sikurse opozita e ka thënë edhe zyra e BE-së përmes një letre për Kuvendin e Kosovës, të cilët kanë thënë se ky ligj e rrit mundësinë për korrupsion.

Haxhiu në fjalën e saj nga pozita e kryetares së Kuvendit ka thënë se Kuvendi i përfaqëson interesat e qytetarëve dhe janë përgjegjës për të vendosur për këtë, ndërsa ka thënë se pavarësisht se e respektojnë zyren e BE-së nuk mund ta marrin parasysh më tepër një letër të tyre sesa vullnetin e popullit të shprehur në këtë Kuvend.

“Unë e kam taku edhe përfaqësuesen e zyrës së BE-së, e ka adresu këtë shqetësim dhe i kam thënë se nuk jemi në rrethana normale sepse nëse deri më 27 ky Kuvend nuk e zgjedh Presidentin/en e vendit, me automatizëm Kuvendi shpërndahet. Paramendoni kur Kosova ka marrë përgjegjësi për të organizuar Lojërat Mesdhetare dhe ne jemi shumë vonë për shkak të procedimit të këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese, prandaj ju kërkoj e ju ftoj që të veprojmë në përputhje me përgjegjësitë që i keni”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka thënë se partnerët janë partnerë por Kuvendi sipas saj është më i rëndësishëm.

“Nëse dikush don që Kosova me dështu në organizimin e lojërave mesdhetare, shumë gabim e ka, sepse unë pe shoh këtë tendencë sot këtu. Prandaj, ju ftoj të reflektoni dhe t’i kemi parasysh përgjegjësitë që i keni ose të zgjedhim Presidentin dhe vazhdojmë procedurat tjera pa asnjë nguti. Por, te konfiskimi i pasurisë, sigurimet shëndetësore, Lojërat Mesdhetare, te çmimet tavan jemi me vonesë. Disa herë unë u përpoqa të mos flas, por në vazhdimësi përmendet emri im, unë këtë Kuvend e kam parasysh asgjë tjetër”, ka thënë Haxhiu.

Ajo gjithashtu i ka reaguar deputetes Deliu përsëri e cila ka cituar letrën e BE-së.

“Ju ftoj që të bëheni zëdhënës të qytetarëve e jo zëdhënës të zyrës së BE-së sepse ata i kanë zëdhënësit e tyre”, ka thënë Haxhiu që është përcjell me duartrokitje nga deputetët e VV-së. /Lajmi.net/